Azili njësoj në të gjithë vendet e BE-së

Prej vitit të ardhshëm në të gjitha vendet e BE-së të ketë politikë dhe kushte të njejta për fitimin e statusit të azilit nga shtetasit e huaj.
Kjo u bë e ditur sot nga evrokomisionerja për politikë të brendshme, Sesilia Malmstrom, e cila theksoi se Komisioni Evropian ka propozuar që deri në fillim të vitit të ardhshëm të miratohet dhe pranohet politika e njejtë për dhënien e azilit nga vendet e BE-së.
Ajo theksoi se ky vendim duhet të miratohet, pasi që vendet anëtare të BE-së kanë politika të ndryshme rreth dhënies së statusit të azilit për shtetasit e huaj.
"Një person i huaj 75 për qind ka gjasa për të fituar statusin e azilit në një shtet, ndërsa vetëm 1 për qind ndodhë në shtet tjetër. Kjo nuk është lotari dhe nuk është e pranueshme", deklaroi Malmstrom.
KE bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar rreth 260 mijë të huaj, kryesisht refugjatë kanë kërkuar statusin e azilit në vendet e BE-së. Në mesin e tyre një numër i konsiderueshëm nga vendet e Ballkanit, pas liberalizimit të vizave. (INA)