Azilkërkrkuesit nga Ballkani, Malmstrom letër ministrave
Kanë qenë Belgjika, Gjermania dhe Suedia, që kanë paraqitur ankesat e tyre pranë Komisionit Europian për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit
Vendet e Shengen-it kanë ngritur shqetësimin për numrin e lartë të azilkërkuesve që përfituan nga liberalizimi i vizave. Shqetësimi vjen për vendet e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë, ndërsa rrezikohet një kthim i mundshëm i regjimit të vizave. Kanë qenë
Belgjika, Gjermania dhe Suedia, që kanë paraqitur ankesat e tyre pranë Komisionit Europian për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit që përfitojnë nga regjimi i lirë i vizave. Një fakt i tillë ka detyruar edhe Komisioneren e BE-së për Punët e Brendshme, Sesilia Malmstrom, që t'u kërkojë, përmes një letre, ministrave të brendshëm të Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Serbisë informacione mbi masat e marra për parandalimin e këtij fenomeni. Në një letër të bërë publike mbrëmë nga “TCH", Malmstrom i shkruan Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, për të dhënat e mbledhura deri nga fundi i sezonit të verës, ku për disa vende është vënë re një rritje e dukshme e numrit të aplikimeve për azil. “Dua të tërheq vëmendjen tuaj mbi shifrat e fundit të mbledhura nga sistemi i alarmit dhe t’ju kërkoj të merrni të gjitha masat e nevojshme në përgjigje. Të dhënat e mbledhura nga fundi i sezonit të verës dhe fillimi i shtatorit tregojnë, për disa vende, një rritje të prekshme në numrin e përgjithshëm të aplikimeve për azil, në Gjermani, Belgjikë dhe Zvicër, që në veçanti mbeten me të prekurat”, - shkruan Malmstrom. “Do ju isha mirënjohëse që të merrja nga ju, përpara forumit ministerial të Ohrit, përgjigjen tuaj me një listë të masave praktike që janë marrë si dhe me ato që synohet të vihen në zbatim”,- thuhet në letrën e komisioneres. Forumi i ministrave të brendshëm BE-Ballkan mbahet me 3 dhe 4 tetor në Ohër. Përveç kësaj, në letër Komisionerja Malmstrom fton të gjithë zyrtarët e rajonit, që merren me vizat në një takim urgjent pas ministerialit të Ohrit, me drejtorin e përgjithshëm të Komisionit Europian. Ndërkohë zëdhënësi i KE- së Michele Cercone u shpreh për TCH se nëse vendet e rajonit nuk reagojnë në kohë dhe siç duhet ndaj shqetësimeve të ngritura nga BE, atëherë rrezikohet liberalizimi i vizave.