E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS gjejnë konsensusin për djegien e fletëve

Socialistët bien dakord që të digjen fletët e votimit të 8 Majit. Procesi nis më 25 tetor, për t’i lënë kohë prokurorisë të veprojë. Si lëndë djegëse do përdoret benzina që KQZ-ja ka gjendje.

Është dashur mbyllja e të gjitha procedurave që kanë lidhje me zgjedhjet vendore të 8 Majit që mazhoranca dhe opozita në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të gjejnë kompromisin e parë mes tyre. Me 7 vota pro, KQZ ka miratuar vendimin për të djegur fletët e votimit të përdorura në zgjedhjet e 8 Majit, por duke përcaktuar që kjo mund të bëhet vetëm pas 25 tetorit. Ky konsensus është bërë i mundur që t’i lihet kohë organit të akuzës që, në rast se e sheh të nevojshme, të bëjë të kërkesë zyrtare për të marrë në dispozicion materialet apo kutitë e votimit në funksion të hetimit të hapur pas padisë së bërë nga socialistët lidhur me zgjedhjet e 8 Majit.

Debati

Mbledhja e djeshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pavarësisht rezultatit të arritur në fund, ka nisur e tensionuar dhe me debate të forta fillimisht mes përfaqësuesit socialist Eridian Salianji dhe kreu të KQZ-së, Arben Ristani. Shkak është bërë pikërisht qëndrimi refuzues ndaj propozimit të administratës së KQZ-së për të djegur fletët e votimit në këtë moment. Salianji e ka konsideruar këtë si një veprim të shpejtuar, që kërkon të eliminojë provat dhe faktet që mund t’i shërbenin prokurorisë në hetimin e saj. “Mendojmë se këtu ka një nxitim dhe paramendim për të djegur fletët e votimit. Këto fletë votimi siç dhe ju e dini janë objekt i një kallëzimi penal që PS ka bërë në prokurorinë e Tiranës për krimin elektoral që ndodhi në KQZ. Ju nuk mund t’i digjni këto fletë votimi se janë prova që prokurorisë do t’i shërbejnë për të vërtetuar atë çka ne kemi vërtetuar në KQZ”, - tha Salianji, ndërsa ka kërkuar shtyrjen e miratimit të aktit. Por ndaj këtij pretendimi ka reaguar kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili e ka konsideruar kërkesën e përfaqësuesit socialist si të pabazuar në ligj, duke mbrojtur kështu aktin e paraqitur për miratim. “Eridjan e di çfarë është e çuditshme në këtë rast, sa herë është për të thënë budallallëqe të dërgojnë ty. Pse nuk vjen Genci”, - u shpreh Ristani. Por ky refuzim për të marrë në konsideratë pretendimin e socialistëve ka sjellë largimin nga mbledhja të Salianjit, ndërsa debati është zhvendosur më pas në tryezën e KQZ-së. Për gati një orë anëtarët e djathtë dhe ata të majtë të KQZ-së janë ballafaquar me një sërë argumentesh për të vërtetuar së pari nëse projekti duhet të miratohej në parim apo jo apo dhe nëse ai duhet t’i referohej udhëzimit numër 1 të vitit 2006 që trajton pikërisht procedurën e hapjes, zbrazjes dhe djegien e fletëve të votimit. Kështu nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ka këmbëngulur se projekt-akti i paraqitur për miratim duhet të përfshinte si referencë ligjore të tij pikërisht udhëzimin numër 1, ndërsa ka vlerësuar si të drejtë kërkesën e socialistëve për mos vepruar me nxitim në djegien e fletëve për sa kohë prokuroria ka hapur një hetim. Pas debatesh të gjata palët kanë rënë dakord që të bëjnë një pushim të shkurtër, ku duket se është gjetur dhe kompromisi.

Kompromisi

Me rifillimin e mbledhjes KQZ në mënyrë unanime ka nisur me votimin e aktit nen për nen, por me disa ndryshime të rëndësishme për të cilat palët kishin rënë paraprakisht dakord. Kështu, KQZ përcaktoj në këtë vendim se hapja e kutive të votimit dhe djegia e fletëve duhet të fillojë në datën 25 tetor, në mënyrë që t’i lihet kohë prokurorisë që nëse e sheh të nevojshme të veprojë për të kërkuar sekuestrimin e kutive të nevojshme. Për përcaktimin e datës ka patur sërish debate pasi socialistët kanë kërkuar si afat të fillimit 1 nëntorin, ndërsa administrata ka kërkuar 20 tetorin. Si përfundim është gjetur një zgjidhje e mesme për të përcaktuar 25 tetorin. Gjithashtu në vendimin u përfshi si referencë edhe udhëzimi i vitit 2006 për djegien e fletëve të votimit, parashikohet një fond prej 54 milionë lekë të reja, ndërsa si lëndë djegëse do të përdoret benzina që KQZ ka gjendje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›