E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azot për një protestë që shkon kundër interesave kombëtare

Krejt qartë shfaqet karakteri jokombëtar i protestës socialiste të 10 tetorit. Ajo vjen në kulmin e një dialogu intensiv të klasës politike në Shqipëri me burokracinë e Brukselit për ta përfshirë edhe vendin tonë, përmes një vendimi politik, në listën e vendeve të para të Ballkanit Perëndimor që do të përfitojnë heqjen e regjimit të vizave. Asnjë fakt i ri nuk i është ofruar publikut për atë që socialistët e quajnë “krim elektoral” dhe “domosdoshmëri e hapjes së kutive të votimit”.
Përkundrazi, në krye të axhendës mbetet domosdoshmëria e Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Skënder Gjinushit, Spartak Ngjelës, Nard Ndokës, Vangjel Dules, Erion Veliajt e Dashamir Shehit për oksigjen politik - për një aksion i cili të mund t’i mbajë në skakierën e pushtetit. Edi Rama regjistroi dje një bllof të fortë, teksa përgënjeshtroi premtimin e një dite më përpara, se do të kthehej në parlament, sapo Sali Berisha t’i jepte garancitë politike se do të kryesonte dhe do të kishte shumicën e komisioneve hetimore apo të posaçme parlamentare që do të kishin të bënin me zgjedhjet e shkuara apo me ato të ardhshmet. Një ditë më vonë, duke mos u besuar veshëve të vet për ofertën e kryeministrit Sali Berisha, Edi Rama e klasifikoi koncesionin politik të mazhorancës së djathtë si një provokacion e si një përpjekje që s’do t’i ndalte dot ylberistët që të zbrisnin në rrugë. Ai kishte urgjencën e bojkotit, si një domosdoshmëri për mbijetesën. Bojkoti ka qëlluar se shërben si oksigjen politik edhe për të tjerë të dështuar të 28 qershorit, dhe modeli i nomenklaturës komuniste, që u promovua së pari në shkurtin e 1997-s po ofrohet si i vetmi model politik i së majtës. Është krejt e matshme të vërehet se si ofrohen karavidhet politike tek stani i bojkotit (nuk besoj se përbën problem huazimi i termit prej satirës së dalëboje të Shevqet Musarajt. Krahasimi i kësaj here synon një profilaksi politike dhe ka një synim moralisht të dobishëm). Emri i Spartak Ngjelës nuk përbën surprizë dhe historia e re politike e Nard Ndokës gjithashtu e bënte pozicionin e tij, politikisht të kronometruar drejt 10 tetorit, por grumbullimi pa çak e pa bam i Dashamir Shehit, Ndre Legisit, një turre shoqatash e sindikatash që në të shkuarën kanë shfaqur një largësi nga e majta apo bashkia e Tiranës, tregon se modeli ka një forcë induktive që është burimore... Është krejt modeli i gramit, i cili ka nevojë të mbijetojë e të shumëfishohet, për shkak të prioritetit që ka, përballë bujtësve të parë të arës. Natyra tregon se në rastin e gramit duhet një ndërhyrje nga jashtë, një ndërhyrje inteligjente për të ndalur muutacionin që rrezikon gjithë kulturën e stinës. Në rastin e protestës së sotme, 10 tetori (sa surprizë që është edhe Dita Botërore e Shëndetit Mendor), nuk ka nevojë për oksigjen. Ai ka nevojë për azot, pasi kjo substancë jojetësore është kura e duhur për të kthyer arsyen dhe shëndetin (mendor) tek politika majtiste. Nitratet janë emërtesa gjithmonë të dëshiruara nga specialistët e bujqësisë. Ata kanë thjesht problematikën e llogaritjes së kohës se kur duhen përdorur. Për sot, e Majta ka nevojë për azot, për të mos lënë të triumfojnë shpirtrat e këqinj. Gjithçka është brenda moralit, meqë edhe po e paralajmërojmë dëshirën tonë modeste për kësi lloj plehërimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›