E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e Edi Ramës si protestat e vjetshme për Kosta Trebickën dhe misrin pa kokrra

Pragsezoni i dështimeve

Edi Rama fillon sot sezonin e protestave. Për të ftilluar kujtesën e gjithsecilit, nuk mund të lihet pa përmendur se, jo më larg se rreth një vit më parë, Edi Rama në krye të PS-së, zhvillonte protesta para kryeministrisë për një kauz, që jo vetëm i doli e dështuar, por i zhvlerësoi atij gjithë potencialin dhe kreditet politike që pretendonte të fitonte, pse po derdhte ca “lot krokodili” për vdekjen aksidentale dhe nga më të rëndomtat, të Kosta Trebickës.
Ndërsa “njeriu i mirë Kosta Trebicka” (sipas “terminologjisë” së Edi Ramës), ishte preteksti i protestës, ende mbahet mend se “argumentet” sa vinin e shtoheshin, kur në ato protesta nuk harrohej “të protestohej” edhe për disa kallinj misri steril që ish-Çim Hysa i ishte gjetur në një arë, që e sigurt sot ai nuk e mban mend se ku...
Përpos “argumenteve” të sjella në vëmendjen e Edi Ramës edhe nga ish-Çim Hysa, në këto protesta nuk mungonin edhe tentativat për “matje forcash”, në se Skënder Gjinushi apo Paskal Milo do të ishin më afër zemrës së Edi Ramës..., në se Elisa Spiropali apo Erjon Veliaj do të meritonin të bëheshin konia e preferuar e Edi Ramës, apo në se veglat “Mjaft” apo “G 99”, do të ishin më të preferuarat në ledhatimet e Edi Ramës.
E pra, këto protesta të rreth një viti më parë, ku ngatërroheshin dhe plekseshin pa asnjë lidhje misri pa kokrra me Erjon Veliajn, Çim Hysa me Elisa Spiropalin, Skënder Gjinushi me “G 99”, Edi Rama me “Mjaft”, apo Paskal Milo me Kosta Trebickën, mbahen mend si protesta që degjeneruan dhe shpërdoruan këtë të drejtë universale, por edhe ia bënë edhe më të lehtë Edi Ramës kontributin në mosartikulimin e alternativave të pretenduara si lider opozite, ia bënë më të lehtë edhe rolin e dështakut të bashkimit të pretenduar të opozitës, por ç’është edhe më kryesorja, ia bënë edhe lehtë humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Shumë pak kohë pas protestave të një viti më parë, u kristalizua se vdekja e Kosta Trebickës, “dëshmitarit kyç” të Edi Ramës, ia kalonte për nga mënyra e rëndomtë të gjitha aksidenteve rrugore të ndodhura anë e kënd Shqipërisë ndër vite dhe se ai nuk ishte një “viktimë e politikës”.
Çudi e madhe në këtë dështim të Edi Ramës me “kauzën “Kosta Trebicka”.
Çudia qëndron se ai pati edhe mbështetjen e Prokurorisë, e cila u investua fort, jo aq kundër natyrës së saj, për të furnizuar me “prova” dhe “ekspertiza” Edi Ramën. Por kjo ndodhi deri pa folur provat dhe ekspertizat e mbërritura nga SHBA-të, pas së cilave edhe “ekspertët” e policisë Albert Dervishi, Besnik Shehu, Mit’hat Tola, kishin gjithë të drejtën legjitime të shumëzonin me zero, jo përgatitjen e tyre profesionale, por komplet edhe veten. Jo për gjë, por këta me joprofesionalizmin e tyre, apo me dëshirën për t’u keqpërdorur nga politika, “morën më qafë” edhe Edi Ramën, pse i besoi ata verbërisht...
Sikur të mos mjaftonte ky dështim me “kauzën” “Kosta Trebicka”, Edi Ramës i ndodhi edhe dështimi i radhës, ai me “kauzën” e kallinjve sterilë të misrit të konstatuar, numri i të cilëve (kallinjve) nuk e kalonte numrin e gishatave të duarve të ish-Çim Hysës... Hajt po shtojmë edhe gishtat e këmbëve të ish-Çim Hysës. Dhe, për pasojë, një numër kaq i vogël kallinjsh misri steril të konstatuar nuk mjaftonin që Edi Rama të siguronte ndonjë kapital të mjaftueshëm, politik...
... Përkundrazi...
Po s’ke ç’i bën, i thonë një fjale “kur të vjen e keqja hapi derën”...
Megjithëse të keqen Edi Rama, në këtë rast nuk e pati nga ndonjë ish-polic, por nga ish-Çim Hysa.
Rreth një vit pas shpërdorimit të protestave për “Kosta Trebickkën” apo “misrin pa kokrra”, Edi Rama, ka paralajmëruar sot fillimin e një proteste, e dështuar që në ditën e paralajmërimit të saj. Dhe dështimi, nuk parashikohet për mospjesëmarrjen e paralajmëruar, por paralajmërohet sërish për mungesën e “kauzës”.
Edi Rama pretendon me protestën e paralajmëruar për sot, të bëjë presion për rinumërimin e kutive të votimit të 28 qershorit, që e nxori atë humbës. Ky pretendim i Edi Ramës nuk është asgjë më shumë se kaq. Në kushtet e mosdhënies së një prove të vetme, të vjedhjes së një vote të vetme, në kushtet kur Kryeministri e fton të shkojë e të ankohet në Prokurori, Edi Rama zgjedh të bëj “shumë zhurmë për asgjë”, duke demonstruar injorimin edhe ndaj Prokurorisë, që rreth një vit më parë ai i besonte verbërisht. Edi Rama, nuk shkon dot në Prokurori, si një mënyrë denoncimi të vjedhjes së pretenduar të votave, sepse ai e di, që Prokuroria do t’i ofrojë “prova” dhe “ekspertiza” që nuk do të ndryshojnë shumë nga bie fjala “provat” dhe “ekspertizat” e
Albert dervishëve, Besnik shehëve, Mit’hat tolave, që janë të gatshëm “ti fryjnë Edi Ramës në vesh”, sikurse po bëjnë “sozitë” e tyre tani, për ta “marrë sërish në qafë”.
Edi Rama, i bindur se “provat” dhe “ekspertizat” e manipulimit, janë të ngjashme me “provat” dhe “ekspertizat” e vdekjes së Kosta Trebickës, e ka të qartë se edhe prokuroria, nuk ka “shkopin magjik” që të bëjë ndonjë çudi... Për pasojë, Edi Rama, i interesuar vetëm për zhurmim, do të vazhdojë të korrë dështimin me protestat që fillon sot, deri sa Çim hysërat, të zbulojnë ndonjë “skandal” tjetër të tipit të “misrit pa kokrra”, për ti dhënë Edi Ramës, ndonjë argument tjetër, për motivim të të tjerave protesta, bashkë me dështimin e parashkruar, pse Edi Rama nuk mund të dalë nga politika spontane e tipit çfarë i del “sot për sot”, duke e konsideruar në kufijtë e frikës, fjalë të huaj, “largpamësinë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›