E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika nuk mund të dhunojë gjykatat – arbitri ndërkombëtar çertifikoi rezultatin e 28 qershorit

Kreu i qeverisë, Sali Berisha i ka apeluar sërish dje opozitës ylberiste, për politikë konstruktive dhe në dobi të interesit të qytetarëve, duke u deklaruar i hapur për konsensus lidhur me komisionin e reformës zgjedhore, por s’lë vend për negociata, në ato pika ku kërkesat e opozitës bien ndesh me vendimet e gjykatave
   
Kryeministri Sali Berisha i bën thirrje kreut të opozitës, Edi Rama që të arsyetojë mbi baza ligjore, lidhur me pretendimet e tij absurde, për parregullsi të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Është e disata herë që, kreu i qeverisë Berisha, i apelon PS-së dhe Edi Ramës, në ndjekjen e rrugëve ligjore, por siç u shpreh edhe kryeministri, tashmë gjykata ka dhënë verdiktin përfundimtar mbi rezultatin e zgjedhjeve.
“Unë gjykoj se interesi i opozitës, në mendimin tim më të mirë, është që të japë kontributin e vet në këto kohëra, për proceset e mëdha që janë para shqiptarëve, veçanërisht ai për lëvizjen e lirë. Shqiptarët kanë pritur shekuj për të lëvizur të lirë në Evropë, tani janë në prag të saj. Me protesta mendon se do të bindë Evropën? Kjo nuk është gjë e mirë, mund të protestosh, por kur nuk ke një bazë ligjore... Unë jam i bindur se vendimet do të merren në favor të shqiptarëve. Nuk ke pse ngre pikëpyetje, nëse e meritojnë apo jo shqiptarët lëvizjen e lirë, por bëhu pjesëtar në këtë proces”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i mazhorancës tha se protestat nuk mund të sjellin asgjë të re dhe kurrsesi Rama dhe opozita, nuk mund të bindin Evropën, porsa kohë pretendimet e tyre nuk janë të arsyetuara ligjërisht. “Arbitri Ndërkombëtarë certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri. Është kryetari i opozitës që deklaron se ka mashtrime në numërim, në një kohë kur ëatchdog-u ndërkombëtar me mbi 500 vëzhgues dhe 5 mijë vëzhgues të tjerë shqiptarë thonë se nuk ka të dhëna për manipulim në rezultate apo numërim të parregullt”, tha Berisha.
Bashkë me ftesën për të drejtuar me shumicë komisionin parlamentar për ndryshime në ligjin zgjedhor, kryeministri i sugjeroi Partisë Socialiste t’i drejtohet Prokurorisë për të gjitha pretendimet e saj mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Shefi i ekzekutivit, tha se, nëse Rama ka argumente dhe baza ligjore, le t’i paraqesë ato në Prokurori, se është ky organ që ka tagrin, për të marrë vendimet e duhura.
“Nëse Rama i ka, le ta thotë, të shkojë t’ia paraqesë në prokurori. Nuk ka zgjidhje tjetër. Është jashtëzakonisht e rrezikshme për vendin çdo zgjidhje tjetër. Unë dhe Rama kemi shumë në dorë për të bërë, listat e partive, për të bërë fushatën, për të emëruar funksionarët e partive, kur je në qeveri për të emëruar ministrat etj., etj., por nuk kemi absolutisht në dorë të shqyrtojmë kurrë ndonjëherë vendimet e gjykatave. Ka prokurori dhe kjo është një gjë shumë normale. Nëse akuzat i ka të substancuara t’i paraqesë”, tha Kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›