E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollë verore për fëmijët kosovarë

Fatime Krasniqi, mësuese në Komunën e Malishevës, mbeti pa fjalë kur lexoi në qendër të dhomës së nipit dhe mbesës kornizat e punimeve të tyre mbresëlënëse. Një mesazh i shkurtër, që ajo nuk ka për të harruar kurrë: "Mirënjohja". Si për ta shprehur më të plotë gëzimin e saj, ajo tregon se "fëmijët erdhën ditën e parë duke kërcyer shumë të kënaqur. Më tregonin se me sa shumë dashuri e përkushtim i kishin bërë punimet e tyre bashkë me drejtuesin e grupit gjatë kampeve tuaja". Si nipi dhe mbesa e saj, Arbëri e Artemisa, dhe 1800 fëmijë të Komunës së Malishevës përjetuan këtë verë ditë të këndshme nën shoqërinë e kampeve verore edukative dhe argëtuese të organizuara për të tetin vit radhazi nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Plot pesë kampe në shkollat e Malishevës, Carallukës së Sipërme dhe të Poshtme, Banja dhe Begaj, ishin panorama gjeografike më e bukur e aktivitetit.

Çdo ditë fëmijët shikonin një dramë në lidhje me aspekte të ndryshme të mirënjohjes, e cila ishte edhe tema qendrore e kampit. Ditën e parë fokusoheshin në aspektin e shprehjes së mirënjohjes, ditën e dytë si të kultivojmë frymën e mirënjohjes dhe të tretën si të jemi mirënjohës në situata të vështira. Programi përmbante lojëra, këngë, diskutime në grupe, punëdore e kokteil. Fëmijët ishin në aktivitet për rreth katër orë në ditë. Paradite merrnin pjesë fëmijë nga parashkollorët deri te klasat e katërta dhe pasdite nga klasat e pesta deri në klasat e nënta. Një ditë ishin programuar lojërat olimpike, dhe në fund festa e përgatitur nga vetë grupet e fëmijëve pjesëmarrës.

Izahir Begaj, drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Begaj, u shpreh se "kjo punë pasqyron qetësinë në shpirtin human të 24 të rinjve vullnetarë të Kishës së Shqipërisë. Ne e vlerësojmë me notën më të lartë punën dhe angazhimin e ekipit. Programi përmbante teknika arsimore, edukative dhe sociale. Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja për ndërtimin e të ardhmes sonë. Bashkëpunimi shpresoj të jetë i gjatë dhe në frymën e miqësisë. Një falënderim special i dërgoni Kryepeshkopit tuaj Anastas nga ne dhe gjithë miqtë tuaj që mbështesin veprimtarinë në shërbim të fëmijëve. Këtë dashamirësi, arsimtarët e shprehën përmes një "Fletë mirënjohjeje për Kryepeshkopin Anastas dhe për të gjithë stafin e të rinjve ortodoksë që ndihmuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij kampi". "Kampet që ju organizoni kanë një emër shumë domethënës. Një emër që është me perspektivë për të nesërmen. Gjithë kjo që bëni është e vlefshme dhe ju keni parë që fëmijët tanë janë shoqërizuar, miqësuar dhe kanë krijuar një dashuri për punën që ju bëni", tha ndër të tjera Izet Shala, drejtori i shkollës "Naim Frashri" në Banjë.

Kampet u organizuan me leje nga Drejtoria Arsimore e Komunës së Malishevës dhe për të gjithë këtë bashkëpunim, nismëtari dhe drejtuesi i këtyre aktiviteteve me fëmijët kosovarë, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse, Nathan Hoppe, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit: "Ju falënderojmë ju prindër që na mbështesni dhe ju jepni mundësi fëmijëve të marrin pjesë në kamp. Ju urojmë një verë të mbarë, pushime të mbara dhe një fillim të ri të vitit shkollor të mbarë. Falënderojmë stafin që ka punuar këtu dhe ashtu siç ka thënë edhe drejtori i shkollës tuaj, një falënderim të veçantë për Kryepeshkopin Anastas dhe gjithë anëtarët e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ju përcjellim përshëndetjet dhe urimet e tyre për një vit të mbarë".

Që prej kohës së luftës në vitin 1999, tradita e bashkëpunimit mes të rinjve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe mësuesve kosovarë, bashkë me nxënësit e tyre të shkollave në fushën e edukimit dhe argëtimit të fëmijëve, ka përcjellë mesazhe frytdhënëse. Bashkëpunimi ka thelluar edhe më tej miqësinë vit pas viti. Interesi i fëmijëve për këto kampe po rritet nga viti në vit, aq sa, siç tregon edhe Fatime Krasniqi, kur përfundon shkolla, fëmijët e presin me padurim këtë kamp, sepse ata çlodhen dhe mësojnë të bëhen njerëz të dijes dhe të kulturës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›