E Diel, 1 Nëntor 2026

Bindet Benitez, Alonso mund të ikë

Dueli i gjatë brenda Liverpulit ka përfunduar: trajneri Rafa Benitez më në fund është bindur dhe ka dhënë "Ok"-in për largimin e mesfushorit Ksabi Alonso. Pas rezistencës së gjatë, tekniku spanjoll vendosi t‘i hapë rrugën transferimit të lojtarit, i cili nuk e ka fshehur dëshirën të luajë për Realin e Madridit. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja madrilene "As", e cila theksonte se më këtë lëvizje ka marrë fund edhe tensioni brenda "Reds". Alonso nuk është stërvitur me ekipin (justifikimi i klubit është për shkak të problemeve fizike) dhe ka injoruar këshillat e mësuesit të tij. Marrëdhënia e mesfushorit të Kombëtares spanjolle me Benitezin ka arritur pikën më të ulët. Tashmë, kushti i vetëm i drejtuesit të stolit të Liverpulit për largimin e Ksabit, është gjetja e një zëvendësuesi (sipas gjasave Akuilani i Romës). Problem përbën edhe çmimi 35 milionë euro, i cili cilësohet i lartë nga Perez.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›