E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB, 17 milionë dollarë për shëndetësinë

Gjatë dy viteve Banka Botërore do të financojë plot 17 milionë dollarë vetëm për sektorin e shëndetësisë.

Fondi që do të shkojë në përmirësim të sistemit shëndetësor, parësor, terciar u bë publik dje gjatë një takimi mes përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore.

Pjesë e financimit do të jetë dhe eliminimi i mbetjeve spitalore.

Fondet e Bankës Botërore do të jenë aktive brenda muajit prill të këtij viti. Vetëm për qendrat shëndetësore Banka Botërore do të financojë një fond prej 2 milionë dollarësh. 3.5 milionë dollarë nga fondi i përgjithshëm do të vihen në dispozicion të sistemit të informacionit të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. "Ky projekt të financojë 1.5 milionë dollarë për blerje mamografish, në mënyrë që të bëhet depistimi dhe gjithë kontrolli i mundshëm në kuadër të luftës kundër kancerit", tha Saimir Kadiu, drejtor i shpërndarjes së buxhetit në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, një problem i madh janë dhe mbetjet spitalore dhe në këtë kuadër mendohet të blihen pajisjet e para për mbetjet spitalore me një fond prej 1.5 milionë dollarësh për 7 qendrat spitalore kryesore të vendit.

"Financimi i BB-së është një financim i madh që bëhet për Institutin e Sigurimeve Shëndetësore.

"2 milionë dollarë do të investohen për pajisje mjekësore për 1500 ambulanca dhe për 6 qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, si dhe për poliklinikat e Tiranës", tha Kadiu. Drejtori i shpërndarjes së buxhetit, sqaroi se një pjesë e rëndësishme e financimit të Bankës Botërore do të përdoret për luftën kundër kancerit. Pak kohë më parë, një grup specialistësh erdhën në Shqipëri për të shqyrtuar problemin e mbetjeve spitalore, djegien e tyre, përpunimin. Sipas konkluzioneve të arritura do të ishte më mirë që të investohej në infrastrukturë dhe jo në spostim të djegësit të plehrave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›