Dy nxënës të talentuar në MASH
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, priti dje dy nxënës të talentuar, Aurora Kapo, 7 vjeç nga Durrësi fituese e Festivalit Evropian për Fëmijë dhe Drit Sokoli, 19 vjeç nga Shkodra, fitues i Medaljes së Artë për shkollat e mesme për vitin 2008. Ministri Beja i dorëzoi Medaljen e Artë nxënësit Drit Sokoli. Ai u shpreh se: Aurora ka dalë kampione në Evropë, shumë para vendit të dytë, që ishte Franca. Një këngëtare e vogël, e cila ne të gjithë besojmë, do të na nderojë edhe në konkurrime të tjera ndërkombëtare. Driti ka marrë Medaljen e Artë duke u dalluar ndërmjet të gjithë maturantëve të Shqipërisë për rezultatet e arritura. Ne presim që Driti përsëri të jetë një përfaqësues i denjë i brezit të tij. Beja përgëzoi kompozitorin e këngës fituese, si dhe mësuesit e prindërit e pranishëm dhe shtoi se dyert e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të jenë gjithmonë të hapura për nxënësit dhe studentët e talentuar në mësime apo në arte për t‘i promovuar ata si shembuj për brezin e tyre, por edhe për brezat që do të vijnë. Të dy nxënësve iu shpërndanë edhe disa dhurata. Një laptop dhe një set librash shkencorë për medalistin Drit Sokoli, si dhe një set me libra për fëmijë për këngëtaren e vogël, Aurora Kapo.