Bixhozi "zhvat" 100 milionë USD
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dhe të bëra dje publike nga "Top Channel", gjatë vitit 2008 shqiptarët shpenzuan më shumë se 10 miliardë lekë, ose me kursin aktual mbi 100 milionë dollarë, në lojërat e fatit, përfshirë këtu dhe bastet sportive. Në vitin 2007, shifra ishte vetëm 6 miliardë lekë, ose afro 60 milionë dollarë, çka do të thotë se krahasuar me vitin e kaluar, tregu i lojërave të fatit në Shqipëri është rritur me mbi 65 për qind, duke u shndërruar kështu ndoshta në tregun me rritjen më të fortë. Shifrat e publikuara janë nxjerrë nga deklaratat e TVSH-së, që subjektet e ligjshme të lojërave të fatit kanë bërë në Drejtorinë e Tatimeve. Por vetë autoritetet pranojnë se një pjesë e mirë e këtij tregu vazhdon të jetë informal dhe i pakontrolluar. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, nga kontrollet e ushtruara ditët e fundit del se në të gjithë vendin ekzistojnë rreth 1500 adresa, të cilat dyshohet se janë qendra të lojërave të fatit dhe basteve të tjera.