E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: 27 miliardë dollarë ndihmë për vendet në zhvillim

TIRANE - Grupi i Bankës Botërore bëri me dije dje, se është duke vënë në dispozicion për gjatë dy viteve të ardhshme fondin prej 27 miliard USD për vendet në zhvillim të Evropës dhe Azisë Qendrore, të prekura nga kriza e Eurozonës.

"Ndërkohë që efektet e krizës së Eurozonës në ekonomitë më të madha të Evropës Perëndimore tërheqin pjesën më të madhe të vëmendjes në botë, kriza po dëmton gjithashtu edhe njerëzit në vendet në zhvillim të Evropës Lindore, veçanërisht ata më të varfrit në Evropën Qendrore dhe Juglindore.",- u shpreh Presidenti i Bankës Botërore, Robert B.Zoellick.

"Grupi i Bankës Botërore është duke zgjeruar fondet në dispozicion për rajonin, në mënyrë që këto vende të mund të mbështeten në këto burime për t'i bërë ballë krizës. Kriza e borxhit të Eurozonës po dëmton rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, nëpërmjet tri kanaleve,- financave, tregtisë, si dhe dërgesave të punëtoreve,- ndërkohë që rëndësia e çdo kanali varet nga karakteristikat individuale të vendeve.",- vërehej në deklaratën e BB.

"Për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Eurozonën, vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore ka të ngjarë të përballen me një ngadalësim ekonomik në vitin 2012.",- tha Philippe Le Houérou, Zv/President i Bankës Botërore për Vendet në Zhvillim të Evropës dhe Azisë Qendrore.

"Ndihmesa shtesë e Bankës Botërore do t'i ndihmojë vendet që ato të ruajnë një kuadër të shëndoshë makro-fiskal, të zbatojnë reformat e nevojshme strukturore, të sigurojnë dhënien e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe të mbrojnë shtresat më të rrezikuara të popullsisë, nëpërmjet rrjeteve më të forta dhe më të mirëorientuara të sigurisë sociale."

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›