E Diel, 1 Nëntor 2026

BB, 5 milionë USD për pensionet në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Banka Botërore aprovoi fondin shtesë prej 5 milionë dollarësh amerikanë për financimin e Projekteve të Shërbimeve Sociale në Shqipëri.
Bordi i drejtuesve të Bankës Botërore miratoi dje huanë, e cila kompleton kreditin fillestar prej 10 milionë $ që kjo Bankë ka dhënë më parë. Kredia do të përdoret për vazhimin e projekteve që kanë lidhje me reformën në administratë për sistemin e pensioneve në Shqipëri.
Financimi
Ky financim shtesë ka për qëllim realizimin e një sistemi pensionesh më efektiv dhe më efecient duke përmirësuar sistemin administrativ të pensioneve, forcimin e mbështetjes institucionale dhe përmirësimin e njohurive nga qytetarët ndaj këtij sistemi. “Aktivitetet e mbështetura nga financimi” -tha Lorena Kostallari, drejtuesja e grupit të Projekteve të Shërbimeve Sociale në Shqipëri- “do të mbështesin reformën në administratë për sistemin e pensioneve, zhvillimin e një qendre arkive për kontribuesit dhe përfituesit, si dhe do të promovojë edukimin publik ndaj të këtij sistemi. Projekti filloi në janar 2002 me qëllim përmirësimin e standardeve të grupeve të varfra në Shqipëri duke i rritur shërbimet sociale dhe të kujdesit ndaj kësaj kategorie.
Kredia
Kredia origjinale mbështeti shërbimet sociale në 43 qendra kujdesi ditore, të cilat u ofrojnë shërbime me standarde të reja më shumë se 25 mijë përfituesve. Gjithashtu janë mbështetur 13 qëndra kujdesi të cilat kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve sociale. Kredia e fundit ka për qëllim vendosjen e një sistemi strategjik dhe ligjor në fushën e kujdesit social dhe në forcimin e kapaciteteve në nivel vendor dhe atë lokal. Shqipëria hyri në Bankën Botërore në 1991. Nga atëherë Shqipëria ka përfituar afërsisht 1.4 bilionë dollarë.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›