E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin procedurat për ekstradimin e të kërkuarit nga FBI

Autori i Lajmit: red.
Menjëherë pas arrestimit të të kërkuarit nga FBI-ja kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. Shqiptaro-amerikani është shpallur disa kohë më parë në kërkim nga drejtësia amerikane për veprën penale të mashtrimit, por vetëm dje është bërë i mundur ndalimi i tij. Forcat e Policisë Kufitare kanë mundur të ndalojnë dje të shumëkërkuarin prej shërbimeve federale amerikane, Gjergj Hajati. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur një ditë pas arrestimit se, Hajati ishte shpallur në kërkim nga FBI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vjedhje me mashtrim, por rezultonte se fshihej në Shqipëri. Sipas të njëjtave burime, ai u arrestua sot në kufirin malazez dhe bëhet e ditur se i arrestuari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës figuronte me emrin George Hajati, emër me të cilin ai edhe qarkullonte. Ndalimi i tij është bërë në afërsi të pikës së kalimit kufitar Han i Hotit gjatë tentativës për t u larguar në drejtim të Malit të Zi.
Por policia ka rënë në gjurmët e tij, se kush ishte në të vërtetë duke e ndaluar menjëherë. Tani janë organet e tjera që do të merren me çështjen e tij. “Pas një hetimi disamujor, nga ana e agjentëve të Departamentit Amerikan të Shtetit pranë ambasadës amerikane, agjentëve të FBI në bashkëpunim me Interpol Tiranën është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit Gjergj Mëhill Hajati, 31 vjeç, banues në SHBA, me shtetësi amerikane dhe shqiptare”, pohojnë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas tyre, Gjergj Hajati është shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Distriktit Harford, SHBA, ka lëshuar “Urdhër arresti”, më datë 24.01.2008, për veprën penale të mashtrimit në fushën e kredive në vlera shumë të mëdha dhe falsifikimit, vepra këto të parashikuara nga neni 18, Seksioni Nr.1341 i Kodit Penal të SHBA, në të cilën parashikohet deri në 30 vite burg.
Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›