E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me tokat në bregdet, vetëdorëzohet ish-kreu i hipotekës

Autori i Lajmit: red.
Eshtë vetëdorëzuar në polici, pas tre vitesh arrati, ish-kreu i hipotekës së Durrësit. Alush Xhihani është paraqitur dje në Policinë e Durrësit, pasi togat e zeza, tre vjet më parë, e kanë dënuar me 2 vjet heqje lirie për abuzime me pronat në bregdet. Mësohet se 55-vjeçari, lindur dhe banues në Shijak, ka qenë person i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Durrësit, pasi duke qenë në detyrën e drejtorit të Hipotekës në këtë qytet, ka konsumuar veprat penale të “Vjedhjes” duke shpërdoruar detyrën, kryer në bashkëpunim si edhe atë të “falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga nenet 135, 25 dhe 186 të Kodit Penal.
Gjykata e Durrësit e ka dënuar ish-drejtorin Xhihani me 4 vjet heqje lirie, vendim të cilin Gjykata e Apelit gjatë vitit të kaluar, e ka ulur në masën 2 vjet duke i lënë atij vetëm akuzën për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Hetimet
Kanë qenë kallëzimet dhe dëshmitë e personave, të cilët pretendojnë se me pronat e tyre është abuzuar, ato që kanë shtyrë Prokurorinë drejt hetimeve. Sipas burimeve nga Prokuroria e Durrësit mësohet se të akuzuarit kanë dëshmuar se ky truall prej 2800 metra katrorë, kompensuar personit Elton Dudi, i është shitur Adrian Lloshit 1000 metra katrorë, dhe Ilir Voglit e njëjta sipërfaqe toke prej 1000 metrash. Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se Adrian lloshi është kunati i ish-regjistruesit Alush Xhihani. Për shkak të afrimitetit që kishin personat e lartpërmendur, Lloshi nuk ka asnjë lekë për truallin e marrë në pronësi. Po kështu mësohet se Ilir Vogli është kunati i ish-regjistruesit Alush Xhihani, dhe për këtë i është falur toka. Pra shitja ka qenë fiktive. Të arrestuarit kanë dëshmuar se Alush Xhihani ka regjistruar në ZRPP-Durrës në emër të Elton Dudit, një sipërfaqe prej 2400 metra truall, që i ishte kompensuar nga KKKP Durrës në vitin 2002. Po nga ky truall i kompensuar Elton Dudit, i është shitur Adrian Lloshit 800 metra katrorë truall, po e njëjta sipërfaqe truall dhe Ilir Voglit, duke ndjekur të njëjtën procedurë.
Shkeljet
Sipas burimeve nga Prokuroria e Durrësit, bëhet e ditur se Alush Xhihani ishte me detyrën e drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës dhe në bashkëpunim me zv/regjistruesin e po këtij institucioni, Rezart Skraparin, kanë regjistruar në ZRPP-në Durrës një truall prej 2800 metra katrorë. Sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se ky truall gjendet në zonën që i përket qytetit të Kavajës. Ky truall i është kompensuar Elton Dudit, më 23 korrik të vitit 2002 nga KKKP-Durrës. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se regjistrimi i këtij trualli është bërë më 23 janar 2003. Pas një kontrolli të bërë nga kjo prokurori është vërtetuar se nuk ekziston praktika e regjistrimit e konfirmuar kjo me shkresat numër, protokolli, të sakta për datat e regjistrimit. Kryesisht mungojnë këto dokumente si vendimi i kompensimit, planvendosja, fragmentet e hartave.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›