E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi: “Ne e kuptojmë Ngjelën, është parti e re, pa struktura”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
“Poli i Lirisë", koalicioni që do të mbledhë së bashku PDK, LZHK, dhe Bashkimin Demokrat dhe jo vetëm, është prezantuar zyrtarisht në ambientet e hotel “Tiranës”, ndërsa së shpejti këtij grupimi pritet t i bashkohen edhe Partia Ligj e Drejtësi e Spartak Ngjelës, Partia Demokraci e Integrim dhe Balli Kombëtar. Sipas drejtuesve të Polit të Lirisë , mungesa e Spartak Ngjelës në prezantimin e parë zyrtar ka të bëjë me faktin se akoma kjo parti nuk i ka ngritur strukturat, por gjithsesi, avokati e ka konfirmuar bashkëpunimin e tij në këtë nismë politike. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Shehi tha se në “Polin e Lirisë” shumë shpejt do të bashkohen, edhe parti të tjera, grupe interesi, shoqata, po edhe personalitete të jetës publike, të cilët gjejnë te “Poli i Lirisë”, shtëpinë e tyre politike.
Mungesa e Ngjelës
Ndërsa për sa i përket mospranisë së kryetarit të partisë së re “Ligj dhe Drejtësi”, Spartak Ngjela, Dashamir Shehi nënvizoi se “isha i sigurt që do të ishit të interesuar për mospraninë e Ngjelës në këtë tryeze, sepse kemi pasur një rrugë të përbashkët në krijimin e këtij koalicioni. Ngjela nuk e ka firmosur këtë marrëveshje për faktin e thjeshtë me pretendimin që do të merrem me ngritjen e strukturave të partisë. Ne e mirëkuptojmë atë duke qenë se është partia e fundit që është krijuar vetëm dy javë përpara dhe sigurisht që ka vështirësi. Megjithatë zoti Ngjela është i mirëpritur, është një nga protagonistët e këtij koalicioni dhe afati përfundimtar për mbylljen e koalicionit në KQZ është vetëm 45 ditë përpara zgjedhjeve, pra ka kohë të mjaftueshme. Ne iu kemi dhënë kohë dhe mundësi të gjithë atyre që kanë shprehur simpatinë për t u afruar në këtë koalicion dhe jemi të bindur se do të afrohen. “Poli i Lirisë”, ditën që do të regjistrohet, nuk do të jetë me tre parti, por shumë më tepër. Kemi negociata për afrim me Partinë e Ballit Kombëtar, me Partinë e komunitetit çam, po ashtu jemi në negociata me shoqatën “Pronësi me Drejtësi” si dhe shoqata dhe organizma të tjerë. Formula me të cilën bashkëpunon poli, ligji elektoral aktual fatmirësisht, tutje gjithë defekteve që ka, na jep këtë shans për një paraqitje sa më të madhe. Të konkurrojmë të gjithë së bashku në alternativë me njëri-tjetrin në garë të ndershme, në alternativë me pjesën tjetër të mazhorancës që është sot dhe gjithkush të marrë atë që i takon. Për herë të parë ky kod krijon në vetvete një hierarki politike të cilën deri dje e kanë vendosur kryetarët e partive në tavolinë. Nga sot e tutje do të jenë qytetarët e Shqipërisë që, me votat e tyre, të bëjnë përzgjedhjen politike”, përfundoi kreu i LZHK-së.
Deklarata e përbashkët
Në deklaratën e përbashkët të tri partive të para të koalicionit thuhet se “krijimi i këtij koalicioni politik parazgjedhor vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, në një moment kur forcat e vjetra politike, që kanë qeverisur Shqipërinë këto tetëmbëdhjetë vjet, janë më të vjetra se kurrë dhe kur ne të gjithë së bashku duam të ndahemi nga ky cikël i lodhshëm tranzicioni, nga politika dhe politikanët e vjetër që janë përgjegjës për të gjitha dështimet politike, ekonomike, sociale e kulturore të këtyre viteve. Shqipëria ka nevojë për një rigjenerim të thellë politik dhe moral.
Monopoli politik
Dy partitë e vjetra, që kanë qeverisur vendin në këto vite, kanë dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor, në ndërtimin e institucioneve të pavarura, në ndërtimin e një administrate shtetërore profesionale, të aftë dhe jopolitike, në zgjidhjen e çështjes së pronësisë, në integrimin dhe dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zhvillimin e një ekonomie tregu të lirë që u garanton mirëqenie dhe jetesë të qëndrueshme qytetarëve, si dhe në shumë sektorë të tjerë jetikë, si edukimi, shëndetësia, punësimi, varfëria, etj. Këto parti të vjetra me një trashëgimi të fortë komuniste nuk arritën të ndërtojnë trupin dhe shpirtin e demokracisë tonë, nuk arritën të krijojnë një pakt institucional midis qytetarëve të Shqipërisë për ndërtimin e së ardhmes së tyre të përbashkët. Është momenti qe qytetarët e lirë të Shqipërisë, të rinjtë dhe të rejat, intelektualët, studentët, të gjithë ata që duan ta ndryshojnë Shqipërinë, të bashkohen dhe ta udhëheqin kombin drejt së ardhmes. Pikërisht për këtë është krijuar “Poli i Lirisë”, shtëpia e përbashkët politike për parti të djathta, të qendrës së djathtë dhe të qendres, për reformatorët, intelektualët dhe individët e moderuar që janë të shqetësuar për boshllëkun etik dhe politik mbi të cilin është i mbështetur sistemi i partive të vjetra politike”, thuhet në deklaratë.

Marrëveshja dhe angazhimet e përbashkëta
“Poli i Lirisë” është një koalicion i partive politike të spektrit politik që pozicionohen nga qendra në të djathtë të këtij spektri, kanë programe politike të përafërta dhe angazhohen për të paraqitur në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 alternativën e tyre si koalicion. Partitë pjesëmarrëse të këtij koalicioni angazhohen për:
• Promovim të vlerave të mirëfillta të subjekteve tona politike, konkurrim të ndershëm midis partive konkurruese të koalicionit në përputhje me Kodin e ri Zgjedhor.
• Fushatë zgjedhore qytetare të drejtë dhe konstruktive të mbështetur në parimet tona politike, në vlerat që ne përfaqësojmë.
• Standarde të larta humane, profesionale, përfaqësuese dhe politike të kandidatëve tanë.
• Barazi të shanseve të secilës parti pjesëmarrëse në koalicion gjatë fushatës elektorale
• Liri të plotë për qytetarët për të zgjedhur sipas bindjeve personale partitë brenda koalicionit.
• Një program të përbashkët politik me parimet e reformave kryesore, të domosdoshme për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe përmbushjen e standardeve për integrimin e vendit në BE.
• Të bashkëpunojmë intensivisht edhe në periudhën paszgjedhore në krijimin e institucioneve të reja politike, në respekt të frymës dhe mandatit politik të koalicionit.

“Poli i Lirisë” kërkon nga të gjithë aktorët
• Një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik, të drejtë dhe të ndershëm, që të përmbushë standardet e Bashkimit Evropian.
• Liri dhe hapësirë të mediave për të informuar mbi fushatën e Polit të Lirisë, transparencë të plotë nga media të procesit zgjedhor.
• Transparencë të plotë rreth financimit të fushatës për secilën parti apo koalicion.
PARTIA DEMOKRISTIANE PDK
LEVIZJA PER ZHVILLIM KOMBETAR LZHK
PARTIA BASHKIMI DEMOKRAT PBD

Pronarët, Toro
Nuk kemi asnjë ofertë nga Poli i Lirisë
Pas deklaratave të kreut të LZHK-së dhe njërit prej anëtarëve të koalicionit zgjedhor, për zgjedhjet e 28 Qershorit, Dashamir Shehi, se ky koalicion është në negociata dhe i ka bërë oferë shoqatës së ish pronarëve “Pronësi me Drejtësi” kanë reaguar këta të fundit duke mohuar në mënyrë të prerë një gjë të tillë. Gazeta “Ballkan” nëpërmjet një lidhjeje telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të kësajë shoqate Agim Toro, ka konfirmuar nga ky i fundit se nuk ka asnjë negociatë. Sipas Toros, “nuk është e vërtetë se ne si shoqatë kemi marrë ndonjë ofertë nga koalicioni Poli i Lirisë dhe asnjë negociatë me krerët e këtij koalicioni. Për sa i përket vendimit që do të marrë shoqata, ajo do të bëhet në unanimitet nga të gjithë anëtarët dhe strukturat e shoqatës”, - përfundoi Toro.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›