E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Debati për çmimet, procedurë normale

Kërkesa e CEZ për të tërhequr garancinë prej 60 milionë eurosh, është një procedurë që mund të hajë një vit, ku CEZ do t‘i duhet të vërtetojë se Deklarata Rregullatore është shkelur, shpjegoi dje për mediat drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camille Nuamah. Sipas saj, debatet mes ERE-s dhe CEZ-it janë të zakonshme. "Diskutimet e vazhdueshme midis kompanive dhe rregullatorit janë një proces normal që ne vëmë re në tregjet e energjisë, duke përfshirë këtu edhe vendet e zhvilluara dhe kjo duhet të lejohet të vazhdojë siç është përcaktuar në kuadrin rregullator për sektorin", tha ajo.

CEZ, e cila ka nën pronësi Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes sh.a., kërcënoi javën e kaluar se do të tërheqë garancinë financiare që shoqëroi privatizimin e OSSH-së, pasi Enti Rregullator i Energjisë miratoi një rritje çmimesh prej 7.1 për qind për këtë kompani, nga 23 për qind që kishte kërkuar ajo. Qeveria shqiptare ka nënshkruar një dokument ku premton se çmimi i dritave do të pasqyrojë koston reale të furnizimit të vendit me energji. Për të garantuar këtë deklaratë, qeveria ka pranuar një letër-krediti me vlerë 60 milionë euro. Sipas Nuamah, procedurat për tërheqjen e garancisë janë të shumta dhe CEZ ka nevojë të vërtetojë para auditorëve të pavarur se Deklarata Rregullatore është shkelur dhe se e gjithë procedura mund të zgjasë një vit.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi pas vendimit të CEZ për të ndjekur çështjen në rrugë ligjore, se qeveria është e gatshme të diskutojë për pagesën e pjesshme të kostos së energjisë të furnizuar në Shqipëri.

"Kjo garanci në thelb ndihmon për t‘i dhënë firmës sigurim, në mënyrë që Enti Rregullator t‘u përmbahet marrëveshjeve që palët kanë qenë dakord. Në të njëjtën kohë si pjesë e privatizimit ekziston një kontratë mes qeverisë dhe operatorit privat që e detyron kompaninë me anë të veprimeve në drejtim të investimeve, apo përpjekjeve për të ulur humbjet etj. Kombinimi i këtyre të dyjave ka për qëllim për të siguruar një kornizë në të cilën operatorit privat i garantohet një nivel i arsyeshëm i kthimit të investimeve të reja që ata sjellin në Shqipëri për të reduktuar humbjet dhe për të përmirësuar furnizimin, shpërndarjen e energjisë dhe të japin sigurime nga njëra anë se operatori privat do të bëjë atë çfarë ata janë të detyruar për të bërë gjatë procedurës së shitjes dhe gjithashtu se qeveria nëpërmjet rregullatorit do të respektojë marrëveshjet e caktuara që janë bërë në mënyrë që të lejojnë vazhdimin e investimeve të mëtejshme efektive për të përmirësuar cilësinë e sektorit", tha Nuamah.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›