E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi i pensionistëve, kalendari i shpërndarjes

Duke nisur nga sot, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, do të nisë shpërndarja e shpërblimit për festën e fundvitit për të gjithë moshën e tretë. Këtë vit, të moshuarit nuk mbeten edhe aq të kënaqur nga shpërblimi i akorduar nga qeveria, megjithatë në një kohë krize nuk do të mund të thonë asgjë tjetër veçse: "Faleminderit edhe për kaq". Këtë vit paratë nuk do të përdoren për të blerë gjelin e detit, pasi produkti kushton më shumë se 25 mijë lekë të vjetra. Por të paktën mosha e tretë do të mund të kontribuojë për darkën e vitit të ri duke "sponsorizuar" me një pulë jo edhe aq të majme, me peshë modeste...

Sipas vendimit, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin prej 2500 lekësh.

Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit. Nga ky vendim do të përfitojnë 554 900 pensionistë. Vendimi i qeverisë përfshin personat që marrin pension pleqërie, invaliditeti, familjar, pensione të posaçme. Gjithashtu, në këtë vendim përfshihen veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur nuk përfitojnë pension tjetër, trajtime të veçanta si punonjës të nëntokës dhe industrisë ushtarake. Përfitojnë shpërblim sipas VKM-së ish-ushtarakët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët aktualisht marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Sipas grafikut të publikuar dje, zyrtarisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensionistët do të marrin nga ora 08:00 deri në orën 13:00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës. Ndërkohë që pas orës 13:00 e deri në orën 20:00 do të jepet shpërblimi për ata pensionistë të cilëve u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit. Kështu, sipas grafikut të ISSH-së, sot do ta marrin pension personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 13:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1 dhe 2 dhjetor.

Me këtë grafik do të punohet deri në përfundimin e shpërndarjes së masës prej 2500 lekësh, deri në fund të muajit dhjetor, që shpërblimi të merret nga pensionistët para festave të fundvitit.

Efekti financiar vetëm për shpërblimin e pensionistëve arrin në shifrën mbi 15 milionë dollarë. Sipas ISSH-së u sqarua dje se asnjë prej pensionistëve nuk duhet të shqetësohet nëse nuk do të arrijë të tërheqë shpërblimin brenda këtyre datave, pasi do të mund ta marrë edhe pas vitit të ri shpërblimin e përcaktuar nga qeveria, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e shkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›