E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ftohtët, 49 viktima nga temperaturat ekstreme

Europa vazhdon që të përjetojë ditë të acarta, të shoqëruara me reshje të dendura dëbore dhe me bllokime rrugësh. Të ftohtët ka qenë kaq i mprehtë në disa zona të kontinentit, sa janë shënuar edhe rastet e para të vdekjeve. Të paktën 49 persona kanë ndërruar jetë vetëm si pasojë e temperaturave shumë të ulëta në Poloni. Ndërkaq në Gjermani, termometri në një zonë në veri të vendit ka shënuar minus 33 gradë Celsius. Moska, si zakonisht, është e mbuluar nga dëbora, por këtë herë qyteti është përballur me një sasi të jashtëzakonshme reshjesh, që kanë bllokuar për orë të tëra trafikun. 9000 pastrues dëbore kanë punuar me orë të tëra për të mundësuar sërish lëvizjen e automjeteve dhe jetëve të transportit në kryeqytetin rus. Për sa i takon pjesës tjetër të Europës, në të gjitha kryeqytetet dhe zonat më të rëndësishme ka pasur probleme me qarkullimin tokësor, ajror e detar. Për më tepër, sipas parashikimeve, ditët në vijim do të jenë edhe më të ftohta e do të përjetojnë një sasi reshjesh edhe më të madhe. Kjo situatë pritet që të vazhdojë deri në fund të vitit. Shërbimi i Eurostarit që lidh Londrën me kontinentin ishte i ndërprerë edhe dje, ndërsa kompania ka nisur një inspektim të situatës së linjës që ka shkaktuar vonesa të mëdha në udhëtimet e pasagjerëve që nga e premtja e kaluar. Kriza e linjës së Eurostarit ka bërë që Presidenti francez, Sarkozi, të thërrasë në një takim të posaçëm shefin e sistemit të hekurudhës kombëtare, SNCF, që është edhe aksionerja më e madhe në Eurostar, për të rinisur funksionimin normal të trenit, të paktën të martën. Ndërkaq Eurotuneli, që transporton kamionë e makina nën kanalin që lidh Francën me Britaninë, ka pasur gjithashtu çrregullime.
Në Poloni, policia u bëri thirrje njerëzve që të jenë më të përgjegjshëm për sa i takon dhënies së makinave e sidomos të mos pinë, pasi rrugët janë aq të rrezikshme sa janë bërë problem për vetë njerëzit normalë, e jo më për të pirët. Në këtë vend temperaturat kanë kapur minus 20 gradë Celsius. Pjesa më e madhe e personave që kanë humbur jetën në Poloni javën e kaluar kanë qenë të pastrehë. Ata pronarë restorantesh që janë më të ndërgjegjshëm kanë nisur që të ofrojnë për njerëzit e varfër dhe të pastrehë një vakt në ditë falas. Ushqimi nuk është më kryesori, sepse njerëzit kanë nevojë për një strehë, por gjithsesi kjo është një përpjekje për t‘ua bërë të varfërve dhe të pastrehëve mbijetesën më të lehtë. "Ajo çka është e rëndësishme është që këta njerëz ta kuptojnë se nuk janë të braktisur, por ka nga ata që shqetësohen për ta", ka deklaruar një pronar restoranti në qytetin e Krakovit.
Kushtet shumë të këqija atmosferike kanë bllokuar akset rrugore e linja hekurudhore në Austri e Gjermani, ku janë shënuar shumë aksidente automobilistike. 50 persona janë plagosur, kur një tren është përplasur në kryeqytetin kroat. Një tjetër aksident me të plagosur i ka ndodhur një tjetër treni që po shkonte drejt Parisit. Në Francë, Gjermani dhe Holandë operatorët aeroportualë janë përpjekur që të mbajnë të pastër nga dëbora korridoret ajrore për uljen e avionëve, por kjo ka qenë e pamundur për disa aeroporte që e kanë mbyllur përkohësisht funksionimin. Edhe aeroporti ndërkombëtar i Dysendorfit është mbyllur dje për disa orë, për shkak të dëborës. Ndërsa në Belgjikë, tre aeroportet më të mëdha janë mbyllur. Po ashtu, probleme ka pasur edhe aeroporti i Amsterdamit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›