E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesioni i akcizave, ligjërohet monopoli i prodhimit të pullave

Është miratuar dje nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë koncesioni i prodhimit të pullave fiskale. Deri tani interes për këtë projekt ka pasur vetëm një kompani private, e cila ka fituar edhe 5 për qind bonus, duke u avantazhuar në koncesion. Projekti rrezikon të rrisë çmimin e pullave të akcizës dhe letrave me vlerë (biletat), pasi prodhimi i tyre i lihet në dorë një privati të vetëm. Por Ministria e Financave insiston se "pavarësisht kalimit te një shoqëri private, qeveria do t‘i ketë të gjitha atributet për ta kontrolluar procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së pullave të akcizës". Ligji i ri për akcizat erdhi për votim në Kuvend për vet faktin se prek sistemin e taksave, pasi në rastet e tjera ka mjaftuar miratimi në Këshillin e Ministrave.

Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në mbështetje të "data base" të analizave dhe të ardhurave nga akcizat, duke studiuar përvojën ndërkombëtare në këtë fushë, janë shprehur se prodhimi e kontrolli i pullave të akcizës të jepet me koncesion, pasi kështu do të zvogëlohej në maksimum evazioni fiskal. Në shtator, qeveria e pranoi propozimin dhe i dha kompanisë "Sicpa Security Solutions", një bonus prej 5 përqindësh të pikëve të mundshme në një tender që do të zhvillohet së shpejti. Pullat aktuale kushtojnë aktualisht 5 lekë dhe dallohen nga rripi metalik që ndryshon ngjyrë në varësi të këndit të dritës. Kompania koncesionmarrëse premton të krijojë një sistem më modern në prodhimin e pullave, por ky sistem ka gjasa se do të kushtojë më shumë se sa ai ekzistues, gjë që pritet të transferohet në çmimet e këtyre mallrave në treg. Lidhur me projektin, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur rezerva dhe parashikon rritje të kostos për mallrat e akcizës.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›