"Investimet në energjetikë nuk respektojnë ligjet për mjedisin"
Investimet e reja të parashikuara në sektorin energjetik nuk respektojnë mbrojtjen e mjedisit. Ky është konkluzioni i dalë nga një studim i kryer nga lëvizja "Mjaft", me mbështetjen e Bankës Botërore. Dje u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me përfaqësues të Bankës Botërore, organizata të mjedisit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile, si dhe palë të interesuara mbi problematikat e mjedisit në Shqipëri. Qëllimi kryesor i takimit ishte evidentimi i problemeve dhe diskutimi i tyre lidhur me transparencën e institucioneve publike dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje për çështjet e politikave mjedisore dhe investimeve që rëndojnë situatën e mjedisit në Shqipëri.
Në këtë tryezë u prezantuan dhe u analizuan gjetjet e kërkimit të lëvizjes "Mjaft", "Mjedisi në Shqipëri 2009", si dhe u zhvillua një diskutim në lidhje me nevojat për përmirësimet në kuadrin e politikave mjedisore, pjesëmarrjen publike në vendimmarrje, si dhe mekanizmat institucionalë në shërbim të mjedisit.
Përfundimet e kërkimit evidentojnë probleme të rënda në terma të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje mbi çështje mjedisore me ndikim komunitar dhe kombëtar. Posaçërisht për sa u përket investimeve të reja të parashikuara në sektorin energjetik, është vërejtur shkelja e ligjeve shqiptare dhe e konventave ndërkombëtare, siç është ajo e Aarhusit. Përfaqësues të lëvizjes "Mjaft", me argumentimin se në mungesë të informacionit, ndërgjegjësimi qytetar dhe angazhimi i publikut është i pamundur, paralajmëruan se do të fillojnë ta zbatojnë ligjin në gjithë shtrirjen e tij, sidomos për sa i përket transparencës, duke nisur edhe procese gjyqësore ndaj institucioneve publike për mosdhënie informacioni.
Camille Nuamah, menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë, tha në këtë takim se "situata aktuale e mungesave në furnizimin dhe përdorimin e ujit, energjisë dhe burimeve të tjera natyrore, mund të ndryshonte për mirë me një kosto financiare relativisht të ulët. Por kjo do të kërkonte nga çdo shqiptar, dhe jo vetëm qeveria apo sektori privat, që të bëhej i ndërgjegjshëm për ndryshimin e sjelljes së vet".