E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Biznes i vogël, por me TVSH

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se të gjitha bizneset me xhiro më të vogël se 8 milionë lekë, do të mbeten biznese të vogla, por pavarësisht kësaj, bizneset që bëjnë më shumë se 5 milionë lekë xhiro, do të paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar të shitjeve të veta. Kryeministri iu përgjigj në këtë mënyrë shqetësimeve të bashkive dhe komunave për të ardhurat fiskale nga taksat për biznesin e vogël, por këmbënguli se ulja e pragut të TVSH-së i hap rrugë konkurrencës së ndershme.

"Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Ajo çka i gjithë ky biznes do të paguajë, pa asnjë përjashtim, në bashki dhe në komuna, është taksa e biznesit të vogël", tha Berisha.

"Së dyti, në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël, të luftohet evazioni, TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Por edhe këtu do të ketë një dallim, në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do t‘i kërkohet diçka më e thjeshtuar", vijoi më tej Kryeministri.

Ulja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla erdhi pas lobingut të tregtarëve të mëdhenj të shitjeve me pakicë, të cilët kanë hapur rrjete supermarketesh në të gjithë Shqipërinë dhe ndjehen të konkurruar nga bizneset e vogla që kryejnë të njëjtat aktivitete, por paguajnë tatim të thjeshtuar.

Klasifikimi i bizneseve si "të vogla", pavarësisht se do të paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar, nga njëra anë garanton bashkitë për të ardhurat fiskale dhe nga ana tjetër ua heq këtyre bizneseve të drejtën për të importuar mallra, e drejtë që aktualisht e ka vetëm biznesi i madh.

"Duhet të jemi të sinqertë se nga njëra anë ai që është fare i vogël ndihmohet, nuk ndodh ajo e famshmja që ‘peshku i madh e ha të voglin‘, nga ana tjetër edhe informaliteti luftohet", tha Berisha.

Përfaqësues të biznesit të madh kanë kërkuar zyrtarisht që tatimi mbi vlerën e shtuar të zbatohet për të gjitha bizneset, pavarësisht nga statusi si biznes i vogël apo i madh, duke e konsideruar këtë klasifikim si konkurrencë e pandershme.

"Dua të theksoj këtu se lufta kundër informalitetit është leva e Arkimedit, për të garantuar dhe për të zgjeruar liritë ekonomike. Pa këtë luftë, nuk ka liri të vërtetë, ka liri të cunguar ndaj dhe ne jemi të vendosur që të bëjmë çdo përpjekje se pa luftë kundër informalitetit nuk ka konkurrencë të ndershme. Fjala konkurrencë e ndershme, fjala shanse të barabarta, bëhen tërësisht fiktive", tha Berisha.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›