BB: Ja çfarë duhet të bëjë Qeveria shqiptare
• Një grup ekspertësh të Bankës Botërore do të këshillojnë qeverinë shqiptare për hapat që ajo duhet të ndjekë për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Këtë javë përfaqësuesit e IFC-së dhe Bankës Botërore të Programit"Si të bësh biznes" do të diskutojnë me zyrtarët e lartë të qeverisë mbi reformat rregullatore për përmirësimin e mjedisit e të biznesit në Shqipëri si dhe për të përfituar nga reformat e suksesshme në botë. Këshilltarët për reformat nga IFC dhe Banka Botërore do të diskutojnë reformat që po kryhen për përmirësimin rregullave të bërjes biznes në 10 drejtime, të cilat studiohen nga raporti global "Si të bësh biznes": regjistrimi i biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimi i pronësisë, ligjet për punën, pagesa e taksave, aksesi ndaj kredisë, mbrojtja e investitorit, tregtia, eficenca e gjykatës dhe mbyllja e biznesit. Takime do të zhvillohen me zyrtarë të lartë të ministrive të Ekonomisë, Drejtësisë, Punëve Publike, Punës, Autoritetit të Mbikëqyrjes financiare dhe biznesit. "Renditjet më të mira në lehtësinë e të bërit biznes janë të lidhura me rritjen, vendet e reja të punës dhe një sektor më të vogël informal. Përpjekjet e Shqipërisë për të krijuar rregulla sa më pranë biznesit, janë një hap pozitiv drejt një sektori privat më të fuqishëm", tha Marialisa Motta, menaxhere e programit të reformave që lidhen me të bërit biznes. Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, tha se, "grupi i Bankës Botërore është i inkurajuar nga përpjekjet e bëra nga Qeveria shqiptare për përmirësimin e mjedisit për investimet private. Prioriteteve të identifikuara nga kjo analizë, ne do t'ju përgjigjemi përmes shërbimeve tona të shumta të këshillimit, duke bashkëpunuar edhe me partnerë të tjerë të zhvillimit".