E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet marrëveshja me Maqedoninë

• Firma e hedhur nga ministrat e Jashtëm, Lulzim Basha dhe Antonio Milloshoski ka hequr përfundimisht regjimin e vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe do të duhet vetëm miratimi në Kuvend që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi.Adi SHKEMBIGjatë vizitës së djeshme të kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski ka marrë edhe verdiktin përfundimtar çështja e lëvizjes së shtetasve në të dyja vendet. Gazeta boton sot të plotë marrëveshjen për heqjen e regjimit të vizave, e cila përbëhet nga dy pjesë, ku e para ka të bëjë me përfitimet për të gjithë qytetarët dhe e dyta me favoret e qytetarëve që ndodhen pranë kufirit. Veç të tjerash, marrëveshja përcakton qartë edhe procedurat që duhet të ndjekin qytetarët që janë të pajisur me pasaporta diplomatike, shërbimi si dhe diplomatët e emëruar në përfaqësitë diplomatike. "Për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe shërbimit, parashikohet hyrja në territorin e secilit vend pa vizë dhe më tej, për diplomatët e emëruar në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore pajisja me lejet e posaçme të qëndrimit sipas procedurave të shtetit pritës", thuhet në pikën 3 të marrëveshjes. Gjithashtu shtetasit që dëshirojnë të qëndrojnë përtej periudhës 90-ditore për arsye familjare, punësimi, studimi, do të zbatojnë legjislacionin e secilit vend. Në të njëjtën kohë drafti i firmosur dje prej dy ministrave të Jashtëm, u njeh të drejtën vendeve respektive që të refuzojnë hyrjen apo qëndrimin e shtetasve, që i konsideron të papranueshëm apo të padëshirueshëm sipas kritereve të vendosura paraprakisht në legjislacionin e brendshëm. Këto janë parime të përgjithshme të rregullimit juridik të regjimit të të huajve sipas të drejtës ndërkombëtare.DeklarataPor ndonëse pritej një reflektim nga kryeministrat lidhur me këtë marrëveshje, kreu i qeverisë shqiptare duket se e ka gjetur fajtorin te mediat. Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i qeverisë tha se, "Diskutuam për një seri çështjesh të tjera, me vullnet të plotë për t'i zgjidhur ato me hapa konkrete dhe një nga këto ishte marrëveshja për vizat, për të cilën mediat, që, për fat të keq janë bastionet e fundit të flamujve të rreckosur të nacionalizmave të vjetra, bënë aq shumë zhurmë në faqet e tyre, por ne u lamë atyre zhurmën dhe nënshkruam marrëveshjen". Ndërkohë, më i matur në deklarata ka qenë kreu i qeverisë maqedonase, Nikola Gruevski, i cili para mediave të të dyja vendeve ka argumentuar se kjo marrëveshje u imponua nga një ligj i miratuar nga qeveria paraardhëse në vitin 2006. "Në mars të vitit 2006 qeveria e mëparshme e republikës së Maqedonisë miratoi ligjin për të huajt, me të cilin e rregullon këtë çështje dhe që vizat për shtetasit e huaj të jepen vetëm në objektet diplomatike të vendit në atë vend. Hyrja në fuqi e këtij ligji parashikohej më 1 janar të këtij viti. Praktikisht, me vendimin e marsit të vitit 2006, ne u sollëm në këtë situatë në të cilën jemi dhe që sot, të dy qeveritë e tejkalojmë me firmosjen e kësaj marrëveshjeje", theksoi kryeministri maqedonas. Marrëveshja e re e vizave është vlerësuar edhe nga presidenti Topi, gjatë takimit me kryeministrin maqedonas. "Presidenti Topi ka përshëndetur dhe vlerësuar marrëveshjen për heqjen e vizave, e nënshkruar sot në Tiranë, si një kontribut për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve tanë edhe si një vendim i rëndësishëm politik për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve", thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.Marrëveshja Shqipëri-MaqedoniSot më datë 19.02.2008, u nënshkrua "Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe të protokollit të saj mbi qarkullimin në zonat kufitare".1. Shtetasit e të dy vendeve do të hyjnë dhe të qëndrojnë pa vizë për një periudhë prej 90 ditësh në çdo 180 ditë, sipas standardeve të BE-së.2. Gjatë hyrjes apo qëndrimit shtetasit nuk duhet të paguajnë asnjë taksë apo detyrim. Ky përcaktim eliminon çdo barrë apo barrierë mbi lëvizjen e lirë të shtetasve, duke e bërë hapësirën ndërmjet dy vendeve tona të ngjashme në hapësirën Shengen. 3. Për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe shërbimit, parashikohet hyrja në territorin e secilit vend pa vizë dhe më tej, për diplomatët e emëruar në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore pajisja me lejet e posaçme të qëndrimit sipas procedurave të shtetit pritës.4. Shtetasit që dëshirojnë të qëndrojnë përtej periudhës 90- ditore për arsye familjare, punësimi, studimi, etj., do të zbatojnë legjislacionin e secilit vend. Në këtë rast për qëndrime afatgjata në Republikën e Maqedoninë, nuk është e nevojshme marrja e një vize afatgjatë, por shtetasi mund të hyjë pa vizë dhe më tej të pajiset me leje qëndrimi pranë autoriteteve kompetente. 5. Shtetasit që qëndrojnë për një periudhë afatshkurtër (90- ditore) nuk kanë të drejtë të punësohen dhe përgjatë kohës së qëndrimit të tyre janë të detyruar të respektojnë legjislacionin e vendit pritës. Secila palë mund të refuzojë hyrjen apo qëndrimin e shtetasve që i konsideron të papranueshëm apo të padëshirueshëm sipas kritereve të vendosura paraprakisht në legjislacionin e brendshëm. Këto janë parime të përgjithshme të rregullimit juridik të regjimit të të huajve sipas të drejtës ndërkombëtare.6. Në projekt janë parashikuar rastet e humbjes së dokumenteve të udhëtimit që duhen referuar tek autoritetet kompetente, të cilat lëshojnë dhe një dokument vërtetues për rastin dhe në bazë të të cilit përfaqësitë diplomatike lëshojnë leje kalimi për kthimin në atdhe.7. Në vërtetim të kushteve të forcës madhore, rregullimi i pozitës së shtetasve që nuk mund të përmbushin detyrimin për t'u larguar brenda afatit të përcaktuar (90 ditë apo përfundim të vizës afatgjatë), do të bëhet nga autoritetet përkatëse pa pagesë.8. Krijohet Komiteti i Përbashkët brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e saj, i cili do të ketë si detyrë monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin nga interpretimi apo zbatimi i saj. Komiteti pritet të mblidhet minimalisht dy herë në vit dhe ekspertët shprehën besimin se kjo formë komunikimi do të jetë më aktive dhe produktive për mbarëvajtjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.Lidhur me qarkullimin në zonat kufitare:1. Zgjerimi i përcaktimit të brezit kufitar nga 10 km në 20 km me shtrirje deri në 25 km, kur diktohet nga rrethanat e terrenit.2. Përfituesit do të jenë banorët e zonave që jetojnë brenda hapësirës të përcaktuar si më lart, jo më pak se para 1 viti nga lindja e së drejtës. Ky kriter u përfshi në pasqyrim të rekomandimeve të BE-së, për lidhjen e marrëveshjeve të tilla.3. Përfituesit, do të kenë të drejtë të qëndrojë 7 ditë pa ndërprerje, për një periudhë 90-ditore në çdo 180 ditë. Këto terma e lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e këtyre banorëve, duke pasur parasysh që marrëveshja ekzistuese i njeh atyre të drejtën e qëndrimit 24 orë, vetëm dy herë në muaj.4. Gjatë kohës së qëndrimit, përfituesit mund të angazhohen në aktivitete fitimprurëse të karakterit ditor ose të përkohshëm, duke respektuar legjislacionin e secilit vend në fushën e punësimit.5. Përfituesit kanë të drejtë të kalojnë kufirin me paraqitjen e një dokumenti/leje kalimi kufitar, me të cilin do të pajisen nga autoritetet e rendit për një periudhë 5-vjeçare. Për prodhimin e tyre palët, sa më shpejt të mundin do t'i referohen standardeve të sigurisë së BE-së.6. Palët angazhohen për krijimin e lehtësive të tjera për këtë kategori si hapja e pikave të reja kufitare, rezervimi i korridoreve të posaçme për ta në pikat ekzistuese, lejimi i kalimit në pika të tjera jashtë atyre të përcaktuara për shkak të forcës madhore, kontrolli herë pas herë dhe jo vazhdimisht për banorët që për shkak të kalimeve të shpeshta, janë të njohur për autoritetet e kufirit.7. Gjatë qëndrimit në territorin e shtetit tjetër, përfituesit duhet të respektojnë legjislacionin e tij dhe afatet e përcaktuara në këtë protokoll, në rast shkeljesh autoritetet rezervojnë të drejtën e tërheqjes së lejes së kalimit kufitar për një periudhe njëvjeçare.Berisha: Marrëveshja e Ohrit, s’mund të atakohet nga KushtetuesjaKryeministri Sali Berisha tha dje se, marrëveshja e Ohrit nuk mund të atakohet nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Duke iu referuar vendimit të kësaj të fundit për të hequr simbolet shqiptare pikërisht nga komunat me shumicë të popullsisë shqiptare, kreu i qeverisë, Berisha u shpreh se, në një marrëveshje, e cila është më shumë se kombëtare, nuk mund të ndërhyhet me instrumente nacionale. "Ajo ç'ka unë nuk mund të pranoj janë ndërhyrjet në një marrëveshje me instrumente nacionale, në një marrëveshje që është sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare. Për të gjitha vendet e lira, e drejta ndërkombëtare mbizotëron ndaj asaj kombëtare", u shpreh kryeministri Berisha. Sipas tij, "atakimi me gjykatën nuk i shërben as marrëveshjes dhe as klimës, por unë kam besim se autoritetet zyrtare të Maqedonisë, ashtu siç kanë dëshmuar deri tani vullnetin për zbatimin dhe konsolidimin e marrëveshjes, do të vazhdojnë procesin dhe të ecin në kompletimin e saj, si interesi më i mirë i Maqedonisë". Berisha-Gruevski, edhe për futbollinDreka e shtruar nga kryeministri Berisha për homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski, duket se ka shërbyer që dy kryeministrat të lënë për rreth 100 minuta mënjanë çështjet politike dhe problemet mes dy vendeve, por të fokusohen më shumë te çështjet dytësore. Burime nga kjo drekë bëjnë të ditur se, dy kryeministrat janë ndalur jo pak edhe në bisedën rreth futbollit mes dy vendeve. Megjithëse një tifoz jo i zjarrtë i futbollit, ashtu siç e ka pranuar edhe vetë, kryeministri Berisha ka pranuar të flasë me homologun e tij për kombëtaret e dy vendeve. "Nuk është se e ndjek shumë futbollin, por më pëlqen mënyra se si festojnë tifozët kur fiton skuadra. Përsa i përket skuadrës kombëtare, ne kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Holandën, por edhe ndeshje të tjera", mësohet të ketë thënë kryeministri Berisha. Nga ana tij, homologu maqedonas duket se ka qenë mjaft i interesuar për kombëtaren tonë, teksa e ka pyetur Berishën edhe nëse Shqipëria është kualifikuar ndonjëherë në ndonjë kampionat evropian apo botëror, por edhe se me kë do ta luajë ndeshjen e ardhshme skuadra shqiptare. Në drekën e djeshme veç delegacioneve ishin edhe kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj dhe ai i grupit të PR-së, Arjan Madhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›