Ekzekuton vëllanë për tokën
• Vret vëllain për një copë truall. Paraditen e djeshme, fshati Shelqet i Vaut të Dejës është tronditur nga breshëria e automatikut, që i ka dhënë fund konfliktit mes anëtarëve të familjes Ndoci.SHKODER / RITVAN DIBRALeonard Ndoci, 35 vjeç ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend vëllain 40-vjeçar, Aleksandrin, baba i 3 fëmijëve. Policia e Shkodrës konfirmoi se, krimi ka ardhur si pasojë e një grindjeje prej kohësh mes tyre për një sipërfaqe tokë, për të cilën të dy pretendonin pronësinë. Në momentin e ngjarjes, në banesën e viktimës kanë qenë e ëma e dy vëllezërve dhe bashkëshortja e autorit. E shoqja e viktimës punonte në një punishte në Vaun e Dejës, ndërsa fëmijët ndodhen në Itali për studime. Aleksandër Ndoci prej kohësh kishte dashur të ndërtonte një shtëpi të re, rreth 1 km larg banesës së vjetër. Por truallin ku viktima kishte filluar të ndërtonte shtëpinë kishte pasur reagim nga vëllai i tij më i vogël Leonardi, i cili pretendonte se i përkiste atij. Në mëngjes, 40-vjeçari është nisur drejt vendit ku do të ngrinte shtëpinë e re. Pak kohë më vonë, për tek ai është nisur dhe Leonardi, duke filluar të njëjtën skenë, të përsëritur dhe më parë për familjen, me fyerje e deri në kërcënime mes vëllezërve për të lëshuar truallin. Gjaknxehtë nga grindja, 35-vjeçari është kthyer në shtëpi, ku ka rrëmbyer armën automatike e me të i është afruar të vëllait. Me breshëri ka qëlluar ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend dhe është kthyer në shtëpi. Sapo kanë dëgjuar të shtënat, familjarët e viktimës dhe disa banorë të fshatit Shelqet kanë qenë të parët që kanë mbërritur pranë vendit të ngjarjes. Ato nuk i kanë besuar syve kur kanë parë të mbuluar me gjak Aleksandrin. Me shpejtësi kanë lajmëruar policinë, e cila e ka pasur të lehtë të identifikojë autorin. Pasi kanë bërë rrethimin e shtëpisë së Leonardit, i kanë bërë thirrje atij që të dorëzohet. Fillimisht autori është hedhur nga dritarja e pasme e shtëpisë, me qëllim për t'u arratisur, por në sajë të masave të marra nga policia për kapjen e tij, qëllimi i tij mbeti në tentativë. Pas 10 hapash ai është bllokuar nga uniformat blu, duke u ndaluar bashkë me armën. Sipas pjesëtarëve të tjerë të familjes, autori Leonard Ndoci kishte kohë që kishte shfaqur shenja depresioni, por me fillimin e ndërtimit të shtëpisë së viktimës në truallin që ai pretendonte se ishte i tij, shqetësimet i janë shtuar akoma edhe më shumë. Nëna e dy vëllezërve, e cila jetonte së bashku me viktimën, ka treguar për policinë se Leonardi, baba i 4 fëmijëve, i kishte kërcënuar dhe herë të tjera me armë se do t'i vriste, por ka qenë ndërhyrja e fqinjëve të cilët e kanë çarmatosur. Megjithatë, ai vazhdonte të mbante armën në shtëpi, derisa dje e ka përdorur për t'i shkaktuar vdekjen të vëllait.PrecedentiKy është rasti i dytë që krimi brenda familjes merr jetë njerëzish në rrethin e Shkodrës e përsëri shkaku është i njëjtë, për motive pronësie. Një javë më parë, në fshatin Grudë-Fushë të Shkodrës, 42-vjeçari Qamil Hasanaj pas një konflikti për pronësi qëlloi me thikë në zemër, duke lënë të vdekur në vend djalin e xhaxhait, Zyhdi Hasanaj 35 vjeç.