E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Club Med” kërkon zgjatjen e lejes së ndërtimit për Kakomenë

• Shoqëria "Riviera" dhe "Club Med" kërkojnë zgjatjen e lejes së ndërtimit për fshatin turistik të Kakomesë.KRT e Qarkut Vlorë, e drejtuar nga Agron Sharra, pritet të miratojë në ditët e ardhshme zgjatjen e afateve të kësaj leje ndërtimi. Ky vendim pritet të jetë i njëjtë me qëndrimin e qeverisë për këtë çështje. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Ylli Pango, kërkoi nga ana e shoqërisë "Riviera" vazhdimin e punimeve për fshatin turistik. Pas marrjes së OK nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në 8 mars të vitit 2004, shoqërisë "Riviera Shpk" dhe "Club Med" iu dha e drejta të nisin punimet për ndërtimin e fshatit turistik në gjirin e Kakomesë. Në qershor 2004, shoqëria mori OK e KRRTRSH-së dhe në shtator të atij viti u nënshkrua marrëveshja për zhvillimin e projektit turistik në zonën e Kakomesë me ministrinë e linjës. Pas nëntorit 2004 nisën punimet për ndërtimin e fshatit turistik. Por punimet u ndërprenë shpejt për shkak të pretendimit të banorëve të Nivicës, se ajo tokë ishte pronë e tyre dhe jo pronë shtetërore. Për shkak të këtij konflikti, qeveria bllokoi vazhdimin e punimeve deri në sqarimin e origjinës së pronësisë së truallit objekt konflikti nga Agjencia Shtetërore e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit nga AKKP-ja u vërtetua se trualli ishte pronë shtetërore dhe jo pronë e banorëve të Nivicës. Ndërkohë që gjatë kohës që punimet u bllokuan nga ana e qeverisë për të pritur përgjigjen e AKKP-së, lejes së ndërtimit për objektin "Fshat turistik në zonën turistike Lukove - Kakome" i kaloi afati ligjor. Pas skadimit të lejes së ndërtimit shoqëria "Riviera" i është drejtuar KRRT-së së Vlorës me një kërkesë për zgjatjen e lejes së ndërtimit. Sipas ligjit për "Urbanistikën", Këshilli i Rregullim Territorit ka 45 ditë kohë për t'u shprehur nëse do t'ia japë të drejtën shoqërisë për zgjatjen e lejes së ndërtimit apo jo. Kërkesën për zgjatjen e lejes së ndërtimit shoqëria "Riviera" e argumentonte pikërisht me faktin se skadimi i saj ka ardhur për shkak se është pritur përgjigjja nga AKKP-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›