E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Ja pse termocentrali i Vlorës ka leverdi

Jepen kundërargumente ndaj deklaratës së kreut të ERE-s para deputetëve

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, u shpjegoi deputetëve të enjten se termocentrali i Vlorës nuk ka leverdi ekonomike dhe si i tillë nuk do të vihet në punë. Por Banka Botërore, e cila e ka financuar pjesërisht këtë termocentral, u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të ngritura që në nëntor të vitit të kaluar dhe ka dalë në konkluzion qartësisht se ky termocentral është rentabël, sjell përfitim për vendin dhe duhet të vihet në punë.

“TEC-i i Vlorës përfaqëson një konsumator të rëndësishëm të gazit natyror me rreth 250 milionë metra/kub gaz natyror në vit, si nevojë për prodhimin e energjisë elektrike. është i detyruar të punojë me naftë Diesel, me kosto shumë të lartë dhe për pasojë çmimi i energjisë elektrike nga TEC-i i Vlorës është një çmim i lartë. Kjo bën që në këtë periudhë TEC-i të trajtohet si një TEC i sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Pra në rast se importet e energjisë elektrike janë shumë më të ulëta se sa prodhimi nga TEC-i, padyshim që do të ndiqet politika e importeve”, deklaroi Nepravishta.

“Një nga arsyet që ne jemi të bindur në mbështetjen tonë financiare, që i kemi dhënë këtë investimi me anë të IDA-s, është mjaft interesante. është një TEC i vogël i prodhimit të energjisë elektrike, por njëkohësisht edhe shumë efikas nga ana mjedisore. ..[...] çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në lidhje me termocentralin, është se ky termocentral ndihmon që ju të shfrytëzoni në një mënyrë më efikase energjinë e prodhuar nga hidrocentralet, pra me fjalë të tjera rezulton që rëndësia e këtij termocentrali nuk qëndron vetëm në prodhimin e energjisë elektrike, e cila është mjaft e vogël në krahasim me nevojat e Shqipërisë, por ai do t’ju lejojë të merrni më shumë energji nga hidrocentralet”, deklaroi Camille Nuamah në një intervistë me “Shqip” të dhënë vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, te një dokument zyrtar i BB-së, “pyetje-përgjigje për TEC-in e Vlorës”, nuk përmendet asgjëkund problemi i mungesës së gazit. Te dokumenti, lënda djegëse është “naftë e distiluar me përmbajtje të ulët sulfuri”.

Termocentrali

Plani për ndërtimin e TEC-it të Vlorës filloi të hartohej në vitin 2002, por punimet nisën vetëm në vitin 2007. Data e përfundimit të punimeve qe fillimi i vitit 2009, por edhe pse ka kaluar tashmë një vit, termocentrali ende nuk është vënë në punë. Ai ka kushtuar 112 milionë dollarë, nga të cilat, 100 milionë u morën borxh te grupi i Bankës Botërore. Ai është aktualisht termocentrali i vetëm në Shqipëri, pasi qeveria e mbylli termocentralin e Fierit në vitin 2008, kur deklaroi se e dha me koncesion për ta rinovuar, por në fakt asgjë nuk ndodhi. Termocentrali i Vlorës u konceptua fillimisht si kompleks me kapacitet të instaluar prej 400-600 megavat, e barabartë kjo me të gjitha nevojat për energji elektrike të Shqipërisë. Skenari i parë i BB-së ishte që 100 MW kapacitet të shtohej çdo vit, gjë që mund t’i jepte fund krizës energjetike një herë e përgjithmonë. Por pas protestave ambientaliste në Vlorë dhe pas ndryshimit të qeverive në vitin 2005, u hoq dorë nga fazat e tjera të termocentralit. Në këtë mënyrë, projekti humbi rëndësinë strategjike të synuar. Termocentrali i Vlorës u ndërtua si pronë e KESH sh.a. Në vend të tij, qeveria vendosi të japë licenca për ndërtimin e termocentraleve dhe hidrocentraleve private, të cilat janë duke u ndërtuar sakaq.

Përfitimet

Askush nuk ka publikuar deri më sot ndonjë studim konkret mbi koston e energjisë së prodhuar nga termocentrali i Vlorës, por një vendim i ERE-s thotë se KESH do të paguajë 13 lekë për kWh të blerë nga ky termocentral për vitin 2010. Në të njëjtën kohë, energjia e importuar pritet të kushtojë në pikën kufitare të importimit rreth 7 lekë. Dukshëm, energjia e prodhuar në Vlorë kushton shumë më shtrenjtë se ajo e importit. Por ekspertët, si dhe Banka Botërore, shpjegojnë se termocentrali jep përfitime të tjera, të cilat shkojnë përtej logjikës së kostos për kilovat. Kështu, termocentrali i Vlorës, nëse vihet në punë, do të sjellë reduktim të konsiderueshëm të humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes në të gjithë zonën e jugut. Nga ana tjetër, termocentrali i Vlorës do të krijojë kushtet që KESH të përdorë me rentabilitet më të lartë hidrocentralet në Drin, me përfitime qoftë në terma teknikë, pra në sasinë e energjisë së prodhuar, ashtu edhe në leverdishmërinë financiare.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›