E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pal Dajçi: Parullat kundër homoseksualëve, në mitingun e PS-së

Debatet Autoritetet vendore akuzojnë për sajesë: Familja e Klodit nuk jeton në Lezhë

Takimi që nisi i qetë, mori tjetër kthesë pasi fjalën e mori prefekti i Lezhës, Pal Dajçi. Që në fillim, Dajçi tha se familja e Klodian çelës nuk jeton në Lezhë. “Pas deklaratave të Klodit, por edhe të protestave, jam përpjekur për të kontaktuar me familjen e Klodit. Kam kërkuar shtëpinë, por zonja Lume çela jeton në Durrës, së bashku me mbesën, informacion të cilin e kam marrë nëpërmjet policisë së Lezhës”, tha Dajçi, i njohur nga opinioni publik si deputet i Laçit për disa legjislatura. Edhe këtë debat mbi homoseksualizmin dhe homofobinë, Dajçi e futi në hulli politike, kur deklaroi se “nëna e Klodit e ka një të drejtë, pasi gjatë një tubimi të PS-së, i cili ishte me leje, disa të rinj kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë hedhur parulla kundër Klodit”. Më tej Dajçi tha se institucionet vendore e dënojnë këtë akt dhe se ishte dakord me mesazhin e përcjellë nga ambasadorët, por shtoi se ky komunitet e ndërton jetën “brenda normave dhe ligjeve shqiptare”. Në fund të fjalës së tij, pasi deklaroi se e mbështet nënën e Klodit, Dajçi theksoi se “ajo ka pesë vite që nuk jeton në Lezhë dhe e ftoj të vijë e të jetojë në Lezhë”.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e zonjës çela, e cila i tha Dajçit se “unë dhe vajza ime nuk jetojmë këtu. Unë kam një shtëpi te Shtëpia e Oficerëve. Kam një burrë këtu dhe dy djem që kanë punuar te një bingo. Kam hequr fëmijët nga ky qytet”.

Debati u hap pas kësaj dhe sekretari i Bashkisë së Lezhës, Pashk Smaçi, përforcoi deklaratën e Pal Dajçit, duke thënë se “kam personalisht njohje me zonjën këtu, por ka shumë vite që nuk ndodhet në Lezhë”.

Në këtë pikë të debatit ndërhyri edhe ambasadori Withers, i cili tha se “sa ka jetuar kjo familje në Lezhë – dhe sigurisht që e dimë që kanë jetuar këtu për një kohë të gjatë – nuk është qëllimi ynë sot. Kërcënime të tilla ndaj cilitdo, edhe për një minutë apo për një ditë, nuk janë të tolerueshme”.
Por edhe fjala e Withers-it nuk kaloi pa replikë. Salvador Gjegji, drejtoi i parkut arkeologjik, u ngrit dhe foli për diçka që ai e quajti “manipulimi i mediave”, duke analizuar në detaje edhe fjali të thëna nga Klodi në “Big Brother”. Por Gjergji akuzoi edhe ambasadën amerikane se vepron me dy standarde, duke i thënë ambasadorit se disa vite më parë ai ishte ndjerë i kërcënuar dhe i kishte kërkuar ndihmë ambasadës, por kjo ndihmë nuk i ishte ofruar. Ambasadori u përgjigj shkurt në këtë rast, duke thënë se “në Shqipëri, jam përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfaqësoj interesat dhe vlerat e popullit amerikan. Ju siguroj që nuk jam përfaqësues i programit ‘Big Brother’”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›