E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletët e votimit, Alibeaj: Djegia nuk pengon hetimin

KQZ Kreu i PS, Rama: Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Në Shqipëri po digjen përditë vende pune

Kërkesa e opozitës për hetim parlamentar të zgjedhjeve dhe hapje të kutive të votimit duket se po hyn në një fazë kritike, tanimë për arsye teknike. Deklarimet e para tri ditëve të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, për asgjësimin e fletëve të votimit në muajin gusht, ka hapur debatin rreth vlefshmërisë së hetimit pa marrë në konsideratë këqyrjen e tyre. “Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Në Shqipëri po digjen përditë vende pune. Për fat të keq, reagimi i pushtetit dhe i strukturave të pushtetit vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat e vendit”, deklaroi dje kreu socialist, Edi Rama, lidhur me këtë proces të paralajmëruar. Përkundrejt këtij qëndrimi kundërshtues dhe që krijon premisa për delegjitimimin përfundimtar të komisionit hetimor, kanë ardhur edhe reagimet e para nga shumica e djathtë. “Besoj që jemi në kohën e duhur që PS të ketë të gjitha mundësitë të vijë në komisionin hetimor, të bëjë kërkesat e saj për provat, të këqyrë materialet, ato çfarë ajo dëshiron dhe ligji lejon, dhe Kushtetuta lejon dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lejojnë. Në këtë mënyrë nuk do të kërkohet të vendosë as në ngërç KQZ”, u shpreh me këtë rast, deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj. Edhe pse këqyrja e fletëve të votimit nuk është pjesë e objektit hetimor të komisionit është më se e qartë se akti i asgjësimit të tyre ka pasoja politike që mund të rëndojnë situatën e tensionuar mes palëve. “Futja e KQZ në ngërç”, sikurse nënvizon edhe ish-ministri i Drejtësisë është vetëm një nga problemet që parashikohen të lindin nga ndërmarrja e një veprimi i cili mund të shtojë edhe më lëndën për mosmarrëveshje. Nga ana tjetër, komunikimi mes palëve me këtë gjuhë interpretimi jo vetëm që vret dialogun mes palëve, por duket se po shkon në përputhje me parashikimin e ish-kreut të KQZ, çlirim Gjata, i cili në një prononcim të para disa kohëve u shpreh se “materiali në kutitë e materialeve zgjedhore arkivohet pasi asgjësohen fletët e votimit”. Thënë ndryshe, asgjësimi i fletëve të votimit paradoksalisht mund të sjellë një miratim, të shumicës për kërkesën më të fundit të opozitës për hapje të kutive të materialeve zgjedhore, gjë që në kuptim të hetimit nuk do të kishte shumë vlerë. Një element tjetër që ka interes në prononcimin e Alibeajt është edhe ai që ka të bëjë me një interes të pashprehur të PS-së për asgjësimin e fletëve të votimit. “Komisioni hetimor i ka të gjitha mundësitë, për të bërë transparencën e plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Mund të jetë një dëshirë diabolike e PS që të nxjerrë një sebep tjetër për asgjësimin e fletëve, por nuk do të ndodhë”, vijoi ai. Ai nuk ka sqaruar kuptimin e këtij interesi, që gjithsesi mbetet për t’u parë në debatin që pritet të lindë nga zbatimi i procedurave ligjore në këtë drejtim. Nga ana tjetër, një arsye më shumë për vënien në jetë të procedurës është dhënë edhe nga ish–kreu i KQZ-së, Kristaq Kumi, i cili u shpreh dje se bllokimi i kutive krijon kosto shtesë për zgjedhjet lokale. “Ne nuk kemi luksin që për hir të këtij ngërçi, për hir të pazotësisë, për hir të impotencës së klasës politike për ta zgjidhur problemin, të investojmë për të blerë 6 mijë apo më shumë kuti të tjera dhe këto t’i mbajmë ashtu të paprekura”, tha Kume.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›