E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Korrupsioni mbetet problemi më i madh

Banka Botërore publikoi së fundmi indeksin vjetor të qeverisjes së mirë, ku vlerësoi se Shqipëria mbetet ende e fundit në rajon për sa i përket treguesve të qeverisjes së mirë. Njoftimi për shtyp i Bankës Botërore u publikua vetëm një ditë pas zgjedhjeve.

"Gjatë këtij viti në Shqipëri ka pasur përmirësime në dy tregues të qeverisjes; Stabiliteti politik dhe Shteti Ligjor, megjithatë ata vazhdojnë të jenë treguesit me performancën më të keqe në vend. Ndërsa në krahasim me vendet e tjera fqinjë për sa i përket treguesve të tjerë, Shteti Ligjor dhe Kontrolli i Korrupsionit janë treguesit që e mbajnë Shqipërinë të fundit në rajon," njoftoi Banka Botërore.

Shqipëria ka pasur përmirësime graduale në treguesin e efikasitetit të qeverisjes. Por krahasuar me përmirësimin e vitit të kaluar, progresi i këtij viti nuk ka qenë shumë substancial dhe kjo vazhdon ta lërë Shqipërinë shumë prapa Malit të Zi, i cili ka performancën më të mirë në rajon, dhe vendeve të tjera si Maqedonia dhe Serbia, të cilat kanë një progres relativisht më të shpejtë, sipas raportit.

Përmirësim i papërfillshëm te korrupsioni

Te përpjekjet e qeverisë për kontrollin e korrupsionit, analiza e Bankës Botërore vëren përmirësim të papërfillshëm, ndërsa fqinjët tanë kanë ecur shumë më shpejt se ne. Qeveria aktuale ka lavdëruar pafundësisht veten për luftën kundër korrupsionit, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të saj janë nën akuza formale ligjore për korrupsion dhe keqpërdorime, ndërsa po përdorin presion politik mbi drejtësinë dhe po i shpëtojnë përballjes përmes teknikaliteteve ligjore, duke dhënë raporte se janë të "sëmurë" apo se janë bllokuar në trafik, për të shtyrë fillimin e proceseve gjyqësore.

"Vihet re një përmirësim i ulët për sa i përket treguesit të Kontrollit të Korrupsionit, i cili e kalon Shqipërinë nga vendi i 36 në atë të 39. Shqipëria vazhdon të performojë dobët në këtë tregues në krahasim me mesataren rajonale si dhe me vendet fqinjë, ndërkohë që Maqedonia dhe Serbia kanë performancë shumë më të mirë sesa Shqipëria", thotë Banka Botërore.

Tek indeksi i qeverisjes së mirë, treguesi i "Shtetit të së Drejtës", është më i keqi për Shqipërinë. Vendi ynë renditet i 33-i në rang botëror dhe ky tregues ka njohur herë përmirësim e herë përkeqësim. Pavarësisht nga disa përmirësime këtë vit, Shqipëria vijon të ketë performancën më të keqe nga gjithë treguesit e qeverisjes.

Liria e fjalës dhe përgjegjshmëria, në krahasim me vitin e kaluar ka njohur një përmirësim i lehtë. Por Shqipëria është gjithsesi pak më prapa vendeve fqinj si Mal i Zi, Serbia dhe Maqedonia, përveç Bosnje Hercegovinës, e cila ka performancën më të keqe në rajon.

I vetmi përmirësim i dukshëm është te stabiliteti politik.

"Në vitin 2008, Shqipëria ka pasur përmirësimin më të madh në këtë tregues, duke kaluar nga vendi i 35 në atë të 45. Performanca e Shqipërisë është shumë më e mirë se ajo e vendeve fqinje si Bosnja, Maqedonia dhe Serbia, me përjashtim të Malit të Zi", thotë Banka Botërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›