E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN mbyll misionin dhe largohet

Përfaqësuesja e përhershme e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Ann-Margret Westin, takoi dje për herë të fundit Kryeministrin Sali Berisha, para largimit të saj nga Shqipëria. Pas kësaj, FMN nuk do të ketë më përfaqësi të përhershme. Tërheqja e FMN-së nga Shqipëria vjen gjashtë muaj pas mbylljes së marrëveshjes së fundit të asistencës me vendin tonë.

"Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Ann-Margret Westin për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare, si dhe për kontributin e dhënë nga FMN-ja në zbatimin e reformave të gjithanshme dhe të suksesshme të ndërmarra nga kjo qeveri. Me tej, Kryeministri e siguroi zonjën Westin se në këtë fazë të dytë të bashkëpunimit me FMN-në, sipas Artikullit 4, qeveria shqiptare është përsëri shumë e hapur dhe bashkëpunuese me këtë institucion për të çuar përpara reformat e nisura, si dhe shumë të tjera", - njoftoi Kryeministria. FMN nuk lëshoi deklaratë formale për këtë rast.

Largim me kokën prapa

Zyrtarët e FMN-së e patën bërë të qartë në raportin e tyre të fundit se "mbarimi i marrëveshjes me Shqipërinë ka ndodhur në një kohë të vështirë", ndërsa Westin ka përsëritur disa herë publikisht se Fondi është i gatshëm të vijojë bashkëpunimin me Shqipërinë, nëse qeveria e dëshiron diçka të tillë. Qeveria e ka përsëritur gjithashtu shumë herë se nuk ka ndërmend të rikthehet tek asistenca e vazhduar. Për më tepër, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në shumë raste për median e huaj se sipas mendimit të tij, "prania e FMN-së në kohë krize shkakton pakënaqësi shoqërore". Dje, Kryeministri Berisha deklaroi sërish se do të vijojë të bashkëpunojë me FMN-në në kuadër të Artikullit 4.

"Kryeministri e siguroi zonjën Westin se në këtë fazë të dytë të bashkëpunimit me FMN-në, sipas Artikullit 4, qeveria shqiptare është përsëri shumë e hapur dhe bashkëpunuese me këtë institucion", - njoftoi zyra e shtypit e qeverisë.

Artikulli i katërt i marrëveshjes së anëtarësimit në FMN i jep të drejtë Fondit të ushtrojë kontroll të detajuar mbi politikat e kursit të këmbimit të vendit anëtar. Këto kontrolle shoqërohen me diskutime periodike, zakonisht një herë në vit, mes zyrtarëve të Fondit dhe vendeve anëtare.

Ndonëse marrëveshja u mbyll në shkurt, FMN vijoi të mbikëqyrë nga afër Shqipërinë dhe këshilloi qeverinë në prill të mos i rrisë pagat dhe pensionet. Këshillat e FMN-së, në fakt kanë shumë vite që nuk dëgjohen më në Tiranë. Që nga fillimi i vitit 2004, shumica dërrmuese e këshillave të Fondit për reforma, janë anashkaluar nga Shqipëria.

Një vendim politik

Shumica dërrmuese e ekspertëve të pavarur, por edhe ekspertëve të qeverisë, kanë deklaruar më herët mendimin se vendi ka nevojë për ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, jo aq shumë për sa i përket ndihmës financiare, sesa asistencës teknike, veçanërisht në funksionin e FMN-së si një kontrolluese e statistikave zyrtare.

"FMN-ja do të vijë, ne do të shohim se çfarë marrëveshjeje do të jetë", tha një zyrtar shqiptar që nuk deshi të citohej, për agjencinë e lajmeve "Reuters" disa ditë para zgjedhjeve, kur po diskutohej se çfarë do të ndodhte pas datës 28 qershor. "Ne kemi nevojë për FMN-në për besueshmëri, statistika dhe reforma strukturore".

"Duhet të dini se deri më sot, i vetmi institucion që prodhon të dhëna mbi Produktin e Brendshëm Bruto në Shqipëri, është një zyrtar i FMN-së", - u shpreh një ekspert tjetër. Pavarësisht kësaj, mendimi i Kryeministrit Berisha duket se triumfoi.

Shqetësimi kryesor i ekspertëve qëndron mbi nivelin e transparencës. FMN ka qenë forca kryesore që ka sjellë krijimin e modeleve të publikimit periodik të të dhënave makroekonomike në Shqipëri si dhe hapjen e informacionit të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave për publikun e gjerë. Si pasojë e politikës së transparencës, këto dy institucione janë të vetmet që publikojnë informacione përtej propagandës së thjeshtë. Ministritë e tjera mjaftohen me publikimin e njoftimeve për shtyp.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›