E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët kundër Bekham, evitohet sherri gjatë miqësores me Milan

Devid Bekham kundër tifozëve të Galaksi. Përballja ka ndodhur gjatë miqësores në Los Anxhelos, që skuadra e mesfushorit anglez zhvilloi me Milanin. 34-vjeçari nuk i ka pritur mirë fërshëllimat e publikut, sa herë që ai kapte topin: në momentin kur përfundoi pjesa e parë e lojës, Bekham shkoi drejt tribunës nga vinin ofendimet, për t‘u konfrontuar me fansat që e kontestonin. U nevojit ndërhyrja e njerëzve të sigurisë rreth stadiumit, për të evituar që situata të degjeneronte në një sherr banal ndërmjet lojtarit dhe mbështetësve të skuadrës kaliforniane.

Fërshëllima, ofendime dhe parulla. Publiku i Los Anxhelosit ka rezervuar një pritje aspak të ngrohtë ndaj britanikut, i cili u kthye për herë të parë në Amerikë, pas aktivizimit 5-mujor të kaluar në formë huazimi te Milani. Bekham nuk ka ditur të shpjegojë këtë sjelle të tifozëve. "Nuk arrij t‘i kuptoj fërshëllimat e publikut amerikan", deklaroi ai në përfundim të takimit. Pas incidentit të evituar në pushimin ndërmjet pjesëve, mesfushori u kthye normalisht në fushë gjatë fraksionit të dytë. Ai u zëvendësua në të 75-ën. I zhgënjyer nga reagimet e tifozëve, lojtari i përfaqësueses së "Tre Luanëve" nuk e fshehu pakënaqësinë. Edhe deklarata më e fundit, mund të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënies së tij me Galaksi: "Shpresoj të kthehem te Milani dhe të luaj sërish atje. Skuadra italiane më ka mbetur në zemër dhe sinqerisht ju them se besoj se do të rikthehem në nëntor". Në parullat e tifozëve shkruhej: "Kthehu në shtëpi, mashtrues", "Ej Beks: këtu para teje, këtu pas teje, këtu pavarësisht nëse nuk je ti". Zemërimi i tifozëve erdhi në momentin kur në fund të sezonit të kaluar lojtari tha se preferonte të qëndronte në Serinë A dhe jo të kthehej në Amerikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›