E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Kriza në Lindje mund të zgjasë më gjatë

Vendet e rajonit tonë ka gjasa se do të vuajnë më gjatë nga kriza ekonomike botërore dhe do të dalin më vonë nga turbullira, njoftoi së fundmi në një studim Fondi Monetar Ndërkombëtar. "Ekonomitë europiane në zhvillim ka shumë gjasa të vuajnë për një periudhë më të gjatë stres financiar sesa pjesa tjetër e botës. Ndërsa vendet aziatike dhe ato të Amerikës Latine pritet të dalin nga zona e krizës nga fundi i vitit të dytë, për vendet e Europës Lindore ka një probabilitet prej vetëm 30 përqindësh për këtë", - njoftoi FMN.

Shkaqet qëndrojnë në faktin se vendet e Europës Lindore janë të gjitha pa përjashtim në varësi të fortë të fluksit të kapitaleve nga vendet e pasura dhe natyra e krizës aktuale, do të zvogëlojë pikërisht kapitalet investuese të Perëndimit në këto vende. FMN i ka nxjerrë këto konkluzione duke studiuar krizat e mëhershme botërore. Kohëzgjatja e krizës dhe probabiliteti i një vendi për të dalë nga vështirësitë varen posaçërisht nga situata makroekonomike që kishin kur kriza filloi. Kështu, vendet që kishin borxh të jashtëm të lartë do të dalin më vonë nga kriza sesa ato me borxh të jashtëm të ulët. E njëjta gjë ndodh edhe kur vendet kanë pasur deficit të lartë të llogarisë korrente. Sa më i lartë të ketë qenë deficiti, aq më shumë do të zgjasë kriza. Shqipëria e nisi vitin e krizës me borxh të jashtëm të ulët dhe të strukturuar mirë (shumica dërrmuese e borxhit është me interesa të buta nga grupi i Bankës Botërore), por pavarësisht kësaj, vendi hyri në kredi të shtrenjta tregtare dhe me terma shumë të rrezikshëm në mes të krizës. Nga ana tjetër, Shqipëria hyri në fazën e krizës me deficit shumë të lartë të llogarisë korrente, gjë që kërkon shkurtime të forta në konsum kombëtar në mënyrë që të shmanget rreziku i zhvlerësimit të monedhës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›