E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Nuk ka rritje ekonomike me dy shifra, po rritet numri i të varfërve nga kriza

Nga Fitim Zekthi

Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë i quajti dje të padrejta vlerësimet e Institutit të Statistikave dhe të qeverisë shqiptare për rritjen e ekonomike prej dy shifrash të ekonomisë shqiptare. Camille Nuamah, drejtoreshë e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, tha se publikimi i të dhënave tremujore nuk mund të merret si bazë për të treguar rritjen vjetore ekonomike. Saktësisht, zonja Nuamah tha: “Ne e mirëpresim publikimin e të dhënave tremujore për Produktin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Ky është një tregues shumë i vlefshëm për të matur kahjen e ecurisë së ekonomisë në mes të vitit, por ai nuk ka asnjë mundësi shteruese të jetë treguesi i rritjes së vërtetë të ekonomisë. Është mjaft e domosdoshme për publikun të kuptojë se ka një diferencë të madhe mes vlerësimeve të Prodhimit të Brendshëm Bruto në një tremujor dhe rritjes ekonomike vjetore. Në vende të tilla si Shqipëria këta dy tregues mund të kenë diferenca shumë të mëdha për shkak të natyrës së ekonomisë në vende të tilla.” Banka Botërore pohoi në mënyrë të tërthortë se rritja ekonomike në vend nuk mund të jetë aq sa thuhet rëndom përditë nga zyrat e qeverisë dhe se, megjithatë, ajo si institucion ishte e kënaqur me faktin që ekonomia po ruante pritshmëritë. Me këtë ajo tha se ekonomia shqiptare është duke u rritur brenda parashikimit prej 6%. Saktësisht, Nuamah tha: “Ne jemi të kënaqur me shifrat e publikuara, pasi ato na tregojnë se ekonomia po ecën mirë, por, e theksoj, nuk mund të bazohemi te të tilla shifra për të dhënë një rezultat për rritjen e ekonomike. Kërkohen llogaritje të tjera për këtë gjë”. Përfaqësuesja e Bankës Botërore tha gjithashtu se kriza ekonomike globale do të prekë vendin tonë dhe se qeveria duhet të jetë e përgatitur të marrë masa. Nuk mundet Shqipëria të mos bjerë nën këto efekte, tha Nuamah, megjithëse disa prej këtyre efekteve që tani kanë nisur të shfaqen. “Shenjat e para të kësaj krize kanë filluar, ka rënie të parave që dërgojnë emigrantët, çka do të reflektohet në rënie të konsumit dhe të importeve. E gjithë kjo do të sjellë rënie të kërkesës, por edhe të punës dhe kësisoj efektet e krizës do të përhapen gjerësisht. Nëse ndodh që të ardhurat në buxhet do të ulen vitin që vjen, atëherë qeverisë do i duhet të korrigjojë shpenzimet”, - tha Nuamah. Një ndër shqetësimet më të mëdha të Bankës Botërore, sipas Nuamah, ishte varfëria në rritje e disa shtresave të shoqërisë. Banka Botërore i kërkoi qeverisë që të rrisë fondet buxhetore për shtresat e varfëra. Dërgesat e emigrantëve kanë rënduar më shumë familjet e varfëra, sepse ato jetojnë vetëm me këto dërgesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›