E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe PD kalojnë ligjin për prokurorinë, Ina Rama: Cenon pavarësinë tonë

Nga Armand Maho, Luljeta Progni

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste bashkëpunuan dhe një herë të fundme për këtë vit, kësaj radhe për t’i hapur rrugë miratimit të projektligjit për prokurorinë, i cili ishte kthyer prej kohësh në një mollë sherri mes qeverisë nga njëra anë dhe ndërkombëtarëve, opozitës dhe prokurorisë nga ana tjetër. Edhe pse ligji ka pësuar ndryshime e modifikime, ai sërish nuk ka qenë një ligj i pranuar nga prokuroria, e cila ka kundërshtuar disa pika të tij. Por dy partitë e mëdha duket se kanë qenë dakord për një gjë të tillë që pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Gjithçka dukej se kishte mbaruar tashmë pas kalimit të dispozitës kalimtare për caktimin e datës së zgjedhjeve. Pasi kanë siguruar një gjë të tillë, socialistët kanë dhënë kompromisin e tyre për ligjin e prokurorisë, edhe pse kjo e fundit e sheh si nismë që cenon pavarësinë e saj. Për të bërë të qartë kompromisin, votimi i të dyjave është lënë për të hënën. Palët do shohin si do jetë votimi i njërës, duke kushtëzuar tjetrën. Skema ka qenë perfekte.

Mëngjesin e djeshëm votimi është paralajmëruar nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, që pa nisur diskutimi. Edhe pse nuk e ka shprehur hapur një gjë të tillë, ai e ka nënkuptuar atë gjatë gjithë kohës.

“Mazhoranca dhe opozita po dëshmojnë vullnetin e qëndrueshëm për të përmbushur detyrimet e përbashkëta në të mirë të procesit të pandalshëm të integrimit të vendit”, - tha Patozi. Më pasi ai përshëndeti atë që e quajti angazhimin e përgjegjshëm dhe serioz të opozitës për të shqyrtuar në Komisionin e Ligjeve dhe më pas, për të miratuar bashkë me mazhorancën, ligjin ‘Për prokurorinë’.

“Angazhimet tona për reformat e mëdha kanë pasur një rol të madh në marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në prill të këtij viti”, - tha Patozi.

“Përfundimi i reformës zgjedhore dhe avancimi i reformës në drejtësi me ligje të tjera, janë gjeste të qarta të maturimit të klasës politike”, - vijoi më tej ai.

Më pas Komisioni i Ligjeve ka nisur diskutimin. Në fakt, nuk ka patur diskutim. Thjesht ka folur Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e cila paraqiti vërejtjet e institucionit të saj për ligjin. Më pas ka raportuar ministri i Drejtësisë dhe komisioni ka miratuar unanimisht ligjin, pa lënë shteg për debat.

Socialistët kanë deklaruar se ligji ka pësuar ndryshimet që kërkoheshin, ndaj po jepnin konsensusin.

Megjithatë, ligji ka tri pika, ku prokuroria nuk bie dakord, heqja e mbrojtjes nga procedimi penal të prokurorëve, i cilësuar si unitet për prokurorët, raportimi në Kuvend i ministrit të Drejtësisë për punën e prokurorisë dhe rekomandimi i ministrit të Drejtësisë për të proceduar penalisht një prokuror.

Pika e tretë ishte e vetmja që u mor parasysh nga Komisioni i Ligjeve, i cili qartësoi kompetencën e ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm për nisjen e procedimit penal, duke i lënë pavarësi kreut të organit të akuzës në marrjen e vendimit. Ndërsa heqja e imunitetit të prokuroreve mbeti në ligj.

E ftuar në Komisionin e Ligjeve për të dhënë mendim për draftin në fjalë, kryeprokurorja Rama tha se “shfuqizimi i nenit 36 të ligjit aktual për ‘mbrojtjen penale’ bëhet në mënyrë të panevojshme.”

“Kjo do të krijojë një impakt negativ në punën e prokurorëve. Shfuqizimi i kësaj dispozite mendoj se i përball prokurorët me abuzivitetin e mundshëm të rrugës, kur ata janë në krye të ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese, të cilat, për hir të së vërtetës, nuk janë funksione që ushtrohen nga të gjithë zyrtarët e këtij shteti, por funksione që lidhen me ndjekjen penale të kontigjentit kriminal të shoqërisë shqiptare.”

Ajo kundërshtoi dhe raportimin në Kuvend të ministrit të Drejtësisë për inspektimet në organin e akuzës.

“Ky raportim do të shndërrohet në një mënyre për të involvuar Prokurorin e Përgjithshëm në një debat politik, publik dhe të panevojshëm, që në thelb cenon dhe prek pavarësinë e organit të akuzës”, - tha ajo.

“Normalisht, çdo institucion i vënë në këtë lloj kontrolli do të pranonte që do të ishte shumë më mirë që të ruante një raport shumë të mirë me qeverinë dhe ta kishte gjithmonë në konsideratë këtë gjë, përpara se të merrte çdo hap në punën e tij. Dhe më duket se këtu dalim jashtë parimit kushtetues që kemi pranuar të zgjedhim, që Prokuroria është një institucion i pavarur, që funksion pranë sistemit gjyqësor dhe puna e të cilit kontrollohet prej këtij sistemi”.

Ndërsa qeveria e ka quajtur ligjin si pjesë të reformës në këtë institucion. “Reformimi i prokurorisë ka filluar edhe më parë, pasi veprimtaria e organit të akuzës ka qenë gjithmonë një sensibilitet, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë social, madje dhe juridik. Por tashmë janë identifikuar më shumë se dhjetë çështje, në të cilat do të duhej të ndërhyhej në ligjin bazë. Trajtimi i këtyre çështjeve bazohet mbi të gjitha në atë çfarë parashikon Kushtetuta, që është përcaktimi i Prokurorisë si institucion, i cili në mënyrë ekskluzive ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq. Në këtë p/ligj janë reflektuar në masën më të mirë të mundshme dhe ndryshimet e fundit kushtetuese”, - tha ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

Duke folur në lidhje me imunitetin, ai tha se një gjë e tillë është përcaktuar në Kushtetutë. “Një formulim i tillë është në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese. Sipas një drejtësie të konsoliduar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, imuniteti për një kategori zyrtarësh është i parashikuar në Kushtetutë dhe për pasojë ligji as nuk mund të heqë dhe as nuk mund të shtojë kategori të tjera me imunitet. Në frymën më të fundit politike dhe sociale ndërhyrja në ligjin aktual përcakton qartë konceptin e mbrojtjes penale të prokurorëve. Mbrojtja e vetme që do t'u jepet prokurorëve është zbatimi koherent, i saktë dhe me devotshmëri i ligjit”, - tha Alibeaj.

Nuk ka reformë në drejtësi me Sali Berishën

Nga Edi Rama

22 nëntor, mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PSSH

Një aspekt tjetër i këtyre reformave është ai që ka të bëjë me drejtësinë. Sot, pas një procesi jo të shkurtër përpjekjesh jo të vogla dhe vullneti të palëkundur për të kontribuar edhe në këtë aspekt njësoj si në aspektin e reformës zgjedhore, ne nuk kemi asnjë besim dhe nuk shohim asnjë mundësi që një reformë e tillë të realizohet me Sali Berishën. E në rast se, kur është fjala për reformën zgjedhore, për Kodin Zgjedhor, për infrastrukturën zgjedhore, kjo gjë ishte e mundur, duhet ta kuptojmë të gjithë se ishte e mundur për shkak të një interesi reciprok që ka të bëjë me rregullat e një beteje, ku ne jemi kundërshtarë të papajtueshëm, në rastin e reformës në drejtësi këtu nuk ka interes reciprok, për shkak se ne jemi të interesuar t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve një reformë, e cila të garantojë më shumë pavarësi dhe më shumë efektshmëri të sistemit gjyqësor, ndërkohë që Sali Berisha është i interesuar pikërisht kundër pavarësisë; kundër efektshmërisë së një sistemi gjyqësor, me të cilin Kryeministri i Shqipërisë e klani i tij, qeveria e tij kanë një konflikt të hapur interesi.

Një vit më parë Raporti i Progresit thoshte fjalë për fjalë se: janë bërë disa hapa për të përmirësuar eficiencën e gjyqësorit, por gjyqësori ka vazhduar të jetë i dobët për shkak të mungesës të pavarësisë, transparencës dhe eficiencës. Këtë vit në Raportin e Progresit të vitit 2008 thuhet përsëri fjalë për fjalë se ka pasur progres të kufizuar të reformës së drejtësisë, por sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë dobët për shkak të mungesës së pavarësisë, përgjegjësisë dhe transparencës.

Mungesa e pavarësisë së sistemit gjyqësor nuk është një problem i gjyqtarëve, nuk është një problem i prokurorëve, nuk është një problem i njerëzve në sistemin e drejtësisë, ky është problemi që Shqipëria dhe shqiptarët kanë me Sali Berishën. Ky është problemi që Shqipëria dhe shqiptarët kanë me klanin e Sali Berishës. Ky është problemi që të gjithë ne, pavarësisht se jemi socialistë apo demokratë, të gjithë ne që jemi jashtë rrethit të interesave të ngushta të Sali Berishës, kemi me Sali Berishën.

Sot është koha për të nënvizuar se nga njëra anë ne propozuam një pakt kombëtar për drejtësinë në frymën e një angazhimi serioz për një reformë radikale në sistemin tonë shoqëror dhe bazuar në orientimet largpamëse dhe afatgjata të BE dhe nga ana tjetër ndeshëm në vesh të shurdhër. Nga njëra anë ne propozuam nevojën e një ligji integral për sistemin e drejtësisë, sepse besojmë që një reformë radikale e këtij sistemi fillon nga pakti kombëtar për drejtësi dhe vazhdon me ligjin integral, e nga ana tjetër ndeshëm përpjekje për të arnuar, jo në funksion të përmirësimit të sistemit, por në funksion të kontrollit mbi sistemin, gjë që karakterizon, jo thjesht një proces të shkëputur, po vizionin e Sali Berishës për mënyrën se si duhet të funksionojë shteti.

Ne vazhduam të kërkojmë me ngulm që ky proces të hyjë në hullinë e arsyes dhe nga ana tjetër pas shpërthimit vrastar të Gërdecit ky proces hyri përfundimisht në hullinë e interesit personal të Sali Berishës për të vënë nën trysni prokurorinë e për të mbajtur në një pozicion mpirjeje dhe paralize të gjithë sistemin gjyqësor.

Sot, ne nuk mund të shohim dritë në fund të tunelit të këtij procesi, kur tuneli është i mbushur me hijet e të vrarëve në Gërdec, me hijet e korrupsioneve skandaloze kudo, e posaçërisht në rrugën Durrës-Kukës, me hijen e sekserit serb të Sali Berishës. Pas këtyre hijeve qëndron një strukturë e tërë interesash që kanë kapur shtetin, që e kanë vënë shtetin në dispozicion të tyre dhe që e kanë bërë të pamundur arritjen në fund të tunelit, duke pasur Sali Berishën kryeministër reforma në drejtësi është një prioritet i yni. Për reformën në drejtësi kemi qenë, jemi e do të jemi të vendosur që të bëjmë atë që duhet që e kërkojë shqiptaret e shqiptarët nga njëra anë, e që e kërkon BE dhe partneri ynë i madh SHBA nga ana tjetër, por këtë, me sa duket, do ta duhet ta bëjmë atëherë kur do ta drejtojmë vendin, pasi të kemi larguar Sali Berishën. Me Sali Berishën kryeministër dhe me fijet që e kanë lidhur të tërin këtë kryeministër nuk mund dot të bëjmë reformë në drejtësi.

Meta: Edi Rama, i shantazhuar nga Berisha

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, reagoi ashpër pas votimit me konsensus në Komisionin e Ligjeve të projekt-draftit për Prokurorinë e Përgjithshme. Ai tha se ligji i rëndësishëm po kalon me nxitim, dhe se Rama ndjehet i shantazhuar. Meta theksoi se ka qenë vetë kryetari i PS që ka deklaruar se nuk ka reformë në drejtësi me Berishën.

“Të gjithë ju e mbani mend kryetarin e Partisë Socialiste, një ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor në parlament, ku u shpreh qartë se reformat në drejtësi nuk do t’i bëjmë më me Berishën, se Berisha nuk synon pavarësinë e drejtësisë, po se do t’i bënte, kur të vinte e majta në pushtet pas zgjedhjeve. Me të drejtë të gjithë sot mund të pyesim se çfarë ka ndodhur që Partia Socialiste është bërë palë me Berishën në përpjekjen e tij finale, përmes këtij ligji për të kontrolluar dhe uzurpuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme? Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, përgjigjja është e qartë: Projektligji i Berishës për Prokurorinë i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës të Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit”, - tha Meta.

Ai deklaroi se nuk ka ndërmend të bashkojë votat me PD për Kodin Zgjedhor, nëse kësaj i druhet Rama. “Ndaj, unë dua t’i jap këtë mesazh zotit Edi Rama, kryetarit të Partisë Socialiste: Në rast se ndjehesh i shantazhuar nga Sali Berisha me kërcënimin, se ai ditën e hënë mund të bashkojë votat me LSI, në mënyrë që t’i japë LSI përfaqësimin në administrimin e zgjedhjeve, që i takon për shkak të votës së shqiptarëve dhe jo për shkak të dëshirës së LSI, duhet të jesh i bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, për shkak të integritetit të saj të lartë moral dhe njëkohësisht për shkak të asaj që ka kërkuar që në fillim, që Kodi të ketë një gjithëpërfshirje dhe konsensus maksimal. Ndaj, në rast se ky është i vetmi shantazh që Sali Berisha bën mbi ty, ti duhet të jesh i sigurt që votat e LSI nuk bashkohen me ato të Sali Berishës, që LSI të marrë komisionerin të hënën, por as ti dhe partia jote nuk duhet t’i jepni Prokurorinë e Përgjithshme Sali Berishës! I dhatë Kushtetutën, i keni dhënë gjithë ato institucione kushtetuese, tani po i jepni edhe Prokurorinë, e cila jo vetëm do ta ndihmojë atë për të fshehur dhe për të mbuluar të gjitha aferat dhe krimet e qeverisjes së tij, por njëkohësisht po e jepni që ta përdorë kundër jush, se kundër nesh nuk ka se çfarë bën Sali Berisha, as sot, as nesër dhe as në jetë të jetëve. Në rast, se pastaj, ka gjëra të tjera përveç Kodit që ju detyrojnë t’i nënshtroheni Sali Berishës dhe të mos mbani premtimin që bëtë para popullit shqiptar dhe para elektoratit tuaj, një ditë pas miratimit të Kodit, se reformat në drejtësi nuk do t’i bëni me Berishën, por do t’i bëni pasi e majta të fitojë zgjedhjet në qershorin e ardhshëm”, - tha Meta.

Sollaku vlerëson ligjin

Tashmë thjesht avokat, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, nga studio e tij ligjore në kryeqytet jep komentet tij lidhur me draft-ligjin më të debatueshëm në radhët e politikës, por dhe të prokuroreve, projektligjin për prokurorinë.

Njohës i mirë i funksionimit të prokurorisë si drejtues i tij që nga viti 2001 deri në 2007, Theodhori Sollaku vlerëson se drafti final i qeverisë ka mjaft ndryshime nga varianti i paraqitur disa javë dhe se ai i ka reflektuar vërejtjet e misioneve ndërkombëtare që asistojnë prokurorinë dhe Ministrinë e Drejtësisë.

“Presioni ndaj Prokurorit të Përgjithshëm për pezullimin e tij nga detyra është hequr. Ligji është i standardeve evropiane dhe nuk mund të thuash se qeveria vendos nën thundrën e saj prokurorinë”, - u shpreh Sollaku.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, i shkarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë me votat e mazhorancës së sotme, dy herë, i mbrojtur herën e parë nga ish-presidenti Moisiu që nuk dekretoi shkarkimin dhe i shkarkuar herën e dytë pas insistimit të mazhorancës, nga presidentit Topi, jep dhe një vlerësim tjetër për nenin e shumëdiskutuar, atë të raportimit në Kuvend nga ministri i Drejtësisë për Prokurorinë.

Zoti Sollaku jep një vlerësim dhe për nenin 36 të ligjit në fuqi që është hequr në draftin aktual dhe që komentohet si heqja e imunitetit të prokurorit dhe thotë se ajo që quhet imuniteti i prokurorit është mbrojtja e prokurorit nga prokurori dhe që sipas tij është nonsens. Kjo dispozitë, sipas tij, nuk i jep mbrojtje të veçantë prokurorit nga qytetari i thjeshtë dhe se këtë moment e zgjidh Kodi i Procedurës Penale.

Dhe në fund por jo për nga rëndësia, ish-Prokurori i Përgjithshëm, që pason një sërë prokurorësh në vend që nga ‘91, të shkarkuar për arsye pothuajse politike, nënvizon se në Shqipëri nuk e ka fajin ligji, por vullneti i mazhorancave politike për ta deformuar atë gjatë zbatimit ose, më keq akoma, për ta shkelur atë dhe frika e moszbatimit të ligjit nuk duhet të kthehet në argument kundër ligjit.

top-channel.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›