E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Papunësia dhe varfëria në Ballkan po rriten me shpejtësi

Banka Botërore deklaroi në Stamboll se papunësia dhe varfëria janë në rritje në të gjithë Europën Lindore dhe në rajonin e Ballkanit, si dhe u bëri thirrje qeverive të këtyre vendeve të monitorojnë nga afër pasojat që do të ketë në standardin e jetesës së të varfërve apo shtresave vulnerabil të shoqërisë. Raporti merret shumë pak me Shqipërinë për shkak të mungesës së statistikave të besueshme. Kështu, të dhënat për nivelin e punësimit dhe papunësisë në vendin tonë janë publikuar për herë të fundit për vitin 2008, ndërsa studimi i fundit mbi nivelin e jetesës është kryer edhe më herët.

Sipas BB-së, vendet e rajonit përballen me disa vështirësi, ku kryesoret janë maturimi i shumë borxheve të marra më parë në një periudhë krize, rritja e deficitit të skemës së pensioneve, mbyllja e vendeve të punës dhe varfërimi i popullatës si pasojë e krizës.

"Është shumë e rëndësishme të kujtojmë se kriza botërore ekonomike erdhi pasi nuk qenë shëruar ende plagët e krizës së rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, krizë që sakaq e ka reduktuar fuqinë blerëse të banorëve të rajonit. Sot, rritja e varfërisë dhe papunësisë po hedh gjithnjë e më shumë familje në varfëri dhe po i bën problemet edhe më të rënda për familjet që ishin edhe më herët nën pragun e varfërisë", deklaroi Philippe Le Houerou, zëvendëspresident i BB për rajonin.

Rreth 15 milionë njerëz pritet të kthehen në kushtet e varfërisë në rajon si pasojë e krizës. Për më tepër, Banka Botërore parashikon se rimëkëmbja e rajonit do të jetë një proces shumë i ngadaltë me disa vite rritje ekonomike të dobët, shoqëruar me pamundësinë e qeverive për të rritur fondet për ndihmë ekonomike për të varfrit. BB vlerëson se fondet e ndihmës ekonomike për familjet e varfra në Shqipëri, të cilat këtë vit janë rreth 106 milionë euro për këtë vit ose 1.2 për qind e PBB-së, mjaftojnë për të mbuluar vetëm 40 për qind të nevojave për të nxjerrë të gjithë shqiptarët e varfër mbi pragun e minimumit jetik. Në Shqipëri vlerësohet se rreth 13 për qind e popullatës jetojnë ende nën varfëri pavarësisht rritjes së shpejtë ekonomike të regjistruar në dy dekadat e fundit dhe nga mosha e re e popullatës.

"Varfëria do të rritet në të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim", thotë BB. Ndryshe nga banka, qeveria shqiptare nuk ka pranuar në asnjë rast të diskutojë mbi pasojat në nivelin e jetesës që po jep kriza aktuale ekonomike. Zyrtarisht për qeverinë shqiptare një krizë e tillë nuk ekziston.

Problemi më i madh sipas BB qëndron në faktin se shumica dërrmuese e vendeve të rajonit hynë në krizë, pasi kishin punuar disa vite me norma të larta deficiti buxhetor e rritje të stokut të borxhit të brendshëm, gjë që i ka hequr mundësinë të realizojnë shpenzime të mëdha qeveritare. Këshilla kryesore për të gjitha vendet është balancimi i nevojave për të shkurtuar shpenzimet me nevojat për të ndihmuar të varfrit. Sipas analizave të ndryshme, niveli i varfërisë në këto vende mund të rikthehet në pikën ku qe tre vite më parë si pasojë e krizës.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›