E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Klaus: Durrësi, i preferuar për turistët çekë

Durrësi do të jetë një stacion i preferuar për turistët çekë. Premtimi vjen nga Presidenti çek, i cili në kuadër të vizitës së tij në qytetin bregdetar ka deklaruar se biznesi çek po shfaq interes për investime në qarkun bregdetar, por nevojitet më shumë informacion në lidhje me vendin dhe resurset e tij. Drejtuesit e bashkisë, këshillit të qarkut dhe Prefekturës së Durrësit kanë pritur në një takim Presidentin e Çekisë, Vaclav Klaus. Gjatë takimit që u zhvillua në zonën e plazhit, Presidenti Klaus shfaqi një interesim të madh për qytetin e Durrësit dhe atë që ofron ky qytet dhe krejt qarku, veçanërisht për sa i përket sektorit të turizmit. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, e njohu kreun e shtetit çek me qytetin, historinë dhe të sotmen e tij, duke u ndalur tek investimet që po kryhen për të ndryshuar cilësinë e jetës në komunitet. Biseda është ndalur veçanërisht në sektorin e turizmit dhe llojet e tij, duke dashur të tërhiqet vëmendja e biznesit çek drejt investimeve në këtë sektor. Presidenti Klaus vlerësoi mikpritjen dhe u shpreh se bregdeti i Durrësit është i mrekullueshëm dhe duhet të jetë një objektiv për t‘u vizituar nga turistët çekë. Ai tha se po punohet që vëmendja e turistëve çekë të përqendrohet në bregdetin shqiptar, si dhe vendosjen e fluturimeve direkt me avion nga Çekia në Tiranë dhe anasjelltas, me qëllim nxitjen e ardhjes së turistëve dhe biznesmenëve çekë në vendin tonë. Klaus u shpreh gjithashtu se investitorët çekë kanë shprehur interesimin e tyre për të investuar në Durrës në sektorin e turizmit, por resurset turistike të Durrësit duhet të publikohen më shumë, në mënyrë që të njihen në një shkallë më të gjerë në vendet e huaja. Pas takimit, krerët lokalë dhe Presidenti Klaus shkëmbyen dhuratat e rastit, ku kreu i Bashkisë së Durrësit, Dako, i dhuroi Presidentit çek ndërmjet të tjerash një punim artistik artizanal të veçantë ku ishin të gdhendura monumentet kryesore arkeologjike të qytetit të Durrësit, ndërsa Presidenti Klaus i dhuroi me autograf librin e tij të përkthyer edhe në shqip "Planeti blu në vargonj të gjelbër - Cila rrezikohet: Klima apo liria?".

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›