E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT zhgënjen Berishën, PBB-ja në ftohje

Instituti i Statistikave deklaroi dje se vlerësimi paraprak tregon për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 5.3 për qind për tremujorin e dytë të këtij viti, (mars-qershor), shifër kjo "zhgënjyese" për sa u përket parashikimeve të Kryeministrit Sali Berisha. Vlerësimi i INSTAT është 7.5 herë më i lartë sesa vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili thotë se Shqipëria do të ketë një rritje minimale prej 0.7 për qind për këtë vit. Pavarësisht kësaj, vlerësimi i INSTAT tregon gjithsesi se rritja ekonomike është në ngadalësim të vazhdueshëm. Për tremujorin e tretë të vitit të kaluar, vlerësimi tregonte për rritje ekonomike prej 9.9 për qind, shifër kjo e korrigjuar më vonë në 8 për qind. Në dhjetor, vlerësimi paraprak qe për rritje ekonomike 8 për qind.

"Ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 5.3 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008. Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin post telekomunikacioni me 18.1 për qind, shërbimet me 15.9 për qind dhe ndërtimi me 9.8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008. Ndërkohë që degët që patën rënie në këtë tremujor ishin industria dhe tregtia me -6.3 dhe -3.2 për qind", deklaroi Ledion Shahini, përgjegjës i sektorit të PBB-së tremujore në INSTAT.

Sipas sektorëve

Rruga Rrëshen-Kalimash kontribuoi në rritjen me 10 për qind të degës së ndërtimit, duke dhënë edhe një pjesë të konsiderueshmet rritjes totale të PBB-së. INSTAT e mat rritjen bazuar në metodën e prodhimit, e cila merr parasysh outputin e ekonomisë, pavarësisht faktit se ky output mund të jetë realizuar me borxhe, gjë që përkthehet në efekt negativ kur borxhet të shlyhen. Qeveria shqiptare tërhoqi rreth 200 milionë euro kredi vetëm për segmentin Rrëshen-Kalimash, shifër kjo e barabartë me afërsisht 2 për qind të PBB-së.

Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithsesi për krizë në sektorin e industrisë, në turizëm e në tregti. Industria u duk më e gjallëruar se në tremujorin e parë të këtij viti, ndërkohë që dyqanet e tregtisë, hotelet e restorantet kanë shënuar rënie qoftë kundrejt vitit të kaluar, qoftë kundrejt tremujorit të parë.

"Grupi i industrive pësoi një rënie prej 6.3 për qind në tremujorin e dytë të 2009 krahasuar kjo me tremujorin e dytë të 2008. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009 kjo degë e industrisë pati një rritje prej 3.9 për qind.

Tregti, hotele dhe restorante, ky grup pati një rënie prej 3.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rënie prej 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009", deklaroi INSTAT.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Turizmit ka raportuar rritje marramendëse të numrit të turistëve të huaj për këtë vit, rritje kjo që nuk duket gjëkundi në statistikat e INSTAT.

Bujqësia, rritje surprizë

Ndryshe nga sa pritej nga Banka e Shqipërisë, sektori i bujqësisë ka shënuar vitin e dytë radhazi me rritje. "Aktiviteti bujqësor në tremujorin e dytë të 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 2.7 për qind dhe me 0.3 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2009", deklaroi INSTAT. "Rritja e sektorit të bujqësisë për këtë vit pritet të jetë vetëm 0.5 për qind", deklaroi Banka e Shqipërisë pak javë më parë. Kontradikta lidhet veçanërisht me vështirësitë e grumbullimit të të dhënave për këtë sektor, i cili nuk i nënshtrohet taksimit e për rrjedhojë, as nuk mund të monitorohet në mënyrë të besueshme nga autoritetet.

Debatet

Statistikat për rritjen ekonomike tremujore filluan të publikohen për herë të parë vitin e kaluar, bazuar në të dhëna paraprake dhe në supozime, kryesisht për shkak të vonesës në raportim dhe pasaktësive në raportim që institucionet e ndryshme publike bëjnë tek INSTAT. Para se INSTAT të publikojë rezultatet e saj, ka ndodhur zakonisht që Kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, kanë vlerësuar publikisht rritje ekonomike stratosferike. Ekspertët i kanë vlerësuar si të ekzagjeruara dhe të pabesueshme vlerësimet e INSTAT, bazuar në logjikën e thjeshtë se kur ekonomia rritet me ritme të tilla, ndryshimi mund të shihet nga të gjithë. Për më tepër, edhe vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucioni që ka pasur një farë monopoli për vlerësimin e ecurisë së ekonomisë shqiptare, ka vlerësuar këtë vit një rritje prej vetëm 0.7 për qind të PBB-së. Vlerësimet paraprake të INSTAT janë korrigjuar në ulje nga vetë INSTAT pas grumbullimit të të dhënave të reja, por rishikimet nuk janë përdorur asnjëherë deri më sot si argumente politike.

Shqipëria ka pasur një rrite mesatare ekonomike prej 5.5 për qind gjatë dekadës së fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›