E Diel, 1 Nëntor 2026

Uldedaj, çekëve: Investoni në energji dhe turizëm

Vendosja e urave të reja të bashkëpunimit mes biznesit çek dhe atij shqiptar ishte dje në qendër të forumit të biznesit të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Kështu kompani çeke që merren me sistemin energjetik, ato të sistemit bankar, agropërpunuese apo që merren me real-state kontaktuan me kompani shqiptare duke i vendosur në marrëdhënie të reja sipërmarrësit e të dy vendeve që kishin interes në këto fusha. Në nisje të këtij forumi që më pas u personalizua në takime më të ngushta mes drejtuesve të kompanive, ishin kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj, ai i Konfindustrisë çeke, Stanislav Kazecky, si dhe Presidenti shqiptar, Topi dhe ai çek, Klaus, të cilët parashtruan në terma të përgjithshme mundësitë e investimit në Shqipëri. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Uldedaj, cilësoi mundësitë konkrete të bashkëpunimit me Çekinë. "Shqipëria është një treg i njohur për biznesin çek, ku lidhjet mes dy vendeve tona janë të hershme, e që kanë kulmuar kohët e fundit me privatizimin e suksesshëm të OSSH nga kompania CEZ", u shpreh Uldedaj. Sipas tij, energjia, turizmi dhe agropërpunimi, janë fushat kryesore, ku biznesi çek mund t‘i shikojë me përparësi për të investuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›