E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Qeveria rriti taksat në 2008

Banka Botërore në raportin “Të bësh Biznes” vlerëson se pagat e referencës kanë rritur nivelin e taksimit

Raporti: Shqipëria renditet në vendin e 86 për vitin 2008, duke qenë 49 vende më poshtë se një vit më parë

Taksat janë rritur ndjeshëm për biznesin gjatë vitit 2008. Deklarata vjen nga Banka Botërore në raportin e saj për vitin 2008 “Të bësh biznes”, ku vlerësohen reformat e ndërmarrë nga qeveria në disa fusha, ndërsa kritikohet pjesa e korrupsionit dhe taksat në rritje. Sipas raportit Shqipëria është një nga 10 vendet që ka ndërmarrë reforma pozitive gjatë vitit 2008 për të përmirësuar klimën e të bërit biznes. Raporti i këtij viti përmirëson renditjen e vendit që gjatë vitit të kaluar bëri hapa pas në listën botërore të vendeve në zhvillim.

Nisja e një biznesi

Grupimi i procedurave të nisjes së një biznesi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit ka rezultuar pozitiv sipas BB. Në renditjen për vitin 2008 në seksionin e nisjes së një biznesi, Shqipëria renditet në vendin e 67 nga vendi 1 130 që ishte vitin e kaluar. Me procedurën e vjetër të regjistrimit, koha për nisjen e një biznesi ishte më e gjatë dhe njëkohësisht sipërmarrja përballej me një kosto më të lartë. Sipas raportit të BB një biznes për t’u hapur kërkon mesatarisht 6 procedura dhe një kohë prej 8 ditësh. Ndërsa kostoja për këtë proces shkon mesatarisht në 849 dollarë.

Regjistrimi i pasurisë

Vendi ka bërë hapa prapa përsa i përket regjistrimit të pasurisë. Nga vendi i 56 që renditeshim në vitin 2007, lista e re na cilëson në vend të 62. Sipas pecialistëve të Bankës Botërore, regjistrimi i pasurisë vazhdon që të jetë një proces i gjatë dhe plot burokraci. Një pjesë e këtyre vonesave janë të qëllimshme dhe kryhen nga ana e zyrtarëve për të përfituar para nën dorë.

Mbrojtja e biznesit dhe kreditimi

Janë dy seksionet kryesore të raportit që bashkë me krahasimin e nisjes së një biznesi, kanë bërë që vendi të bëjë 49 hapa para në vlerësimin e raportit të BB. Shqipëria renditet e 12 në listën e vendeve të këtij raporti, për sa i përket lehtësirave që ka në marrjen e një kredie. Në raportin e BB për vitin 2007 vendi renditej i 61. Treguesi kryesor që ka bërë ndryshimin esencial në renditjen në total të Shqipërisë është mbrojtja e investitorëve. Mbetet ende e paqartë se si është bërë ky vlerësim nga ana e specialistëve të BB, ku që prej vitit të kaluar, kemi bërë para në listë me një hapësirë prej 154 vendesh, duke u renditur nga vendi i 168 në vitin 2007, në atë të 14 për 2008.

Pagesa e taksave

Banka Botërore në kundërshtim me ato çka deklaron qeveria, ka bërë të ditur se taksat e të gjitha llojeve janë rritur gjatë vitit 2008. Një fakt i tillë, sipas përfaqësueses së Bankës Botërore në Shqipëri ka ardhur për shkak të masave që qeveria ka marrë gjatë vitit 2008. Në këto masa shtrënguese përfshihen pagat dhe çmimet e referencës, të cilët kanë rritur në mënyrë artificiale bazën e taksave. Një masë tjetër që ka ndikuar në shumëfishimin e kësaj mase është edhe Taksa e Sheshtë. Nga ana tjetër, mënyra se si llogaritet Tatimi mbi Fitimin ka bërë që kjo taksë të rritet gjatë vitit 2008 dhe jo të përgjysmohet, siç bëhet e ditur nga qeveria.

BB: Biznesi në Shqipëri paguan më shuam taksa seç paguhen në të gjithë rajonin

Raporti: Biznesi, taksat gërryejnë 50.5% të fitimeve

“Norma e taksave ka ardhur në rritje, caktimi i pagave, çmimeve dhe taksa e sheshtë arsyet e barrës shtesë”Taksat që paguan biznesi shqiptar kanë ardhur në rritje gjatë vitit 2008. Raporti i Bankës Botërore bën të ditur se kemi një shtim të barrës fiskale gjatë këtij viti. Ky konstatim i bërë nga BB vjen në kundërshtim me deklaratat e qeverisë, që bëjnë të ditur se barra fiskale është ulur. Shkak për rëndimin e barrës fiskale janë bërë masat diskriminuese, ku përfshihen pagat e referencës, caktimi i çmimeve dhe përcaktimi i fitimeve si edhe taksa e sheshtë.

Tatimi mbi Fitimin 16.7%

Biznesi paguan si Tatim mbi Fitimin 16.7 për qind dhe pagesa ka ardhur në rritje nëse e krahasojmë me vitin 2007. Raporti i BB bën të ditur se tatimi mbi fitimin ishte 11.8 për qind gjatë vitit 2007 ndërsa në vitin 2008 është rritur me rreth 5 për qind. Rritja reale e barrës së taksës në një kohë që me vendim qeveria e ka ulur atë në 10 për qind, vjen për shkak të mënyrës fiktive që caktohet kjo taksë. Janë të shumta rastet dhe në rritje, kur tatimet caktojnë me anë të metodave alternative fitimet e kompanive. Shpeshherë ministri i Financave ka dalë në deklarata ku ka bërë të ditur se normat e fitimeve në kompani të ndryshme në një sektor nuk mund të ndryshojnë me diferenca kaq të mëdha. Por nga ana e tatimorëve kërkesa të tilla nga eprorët shpeshherë kthehen në masa diskriminuese ndaj biznesit. Një pikë tjetër e dobët e mbledhjes së tatim-fitimit është parapagimi. Kjo taksë caktohet apriori dhe parapaguhet nga ana e biznesit në çdo muaj, duke pritur fundin e vitit për të bërë edhe mbylljen e bilancit.

Taksa mbi pagat dhe sigurimet shkojnë në 28.6%

Në letër edhe këto pagesa për biznesin kanë pësuar ulje, por BB bën të ditur në raportin e saj se barra reale është rritur. Këto dy pagesa janë rritur në mënyrë të ndjeshme pas pagave të referencës të vendosura nga qeveria në të gjithë sektorët. Një nga masat që ka çuar në rritje të barrës për Tatimin mbi të Ardhurat Personale është vendosja e 10% si taksë e sheshtë. Sipas raportit barra e pagesës nga ana e biznesit si taksë mbi pagën dhe kontribute të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore shkon për vitin 2008 në 28.6 për qind nga 26.1 për qind që ishte një vit më parë. Ndërsa përsa i përket taksave të tjera ka pasur një ulje të barrës. Të gjithë taksat e tjera nga 10.2 për qind që ishin në vitin 2007, gjatë këtij viti kanë patur një nivel prej 5.2 për qind.

Barra e taksave 50.5%

Biznesi në Shqipëri paguan si barrë taksash në vitin 2008 50.5 për qind të fitimeve. Barra e taksave është më e lartë, me afro 3 për qind, se mesatarja e rajonit dhe 5 për qind më e lartë se vendet e tjera të OECD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›