Presidenti Topi, batuta dhe humor me kuqezinjtë
Disa orë para ndeshjes me Maltën, futbollistët e kombëtares dhe stafi teknik, bashkë me kreun e FSHF-së, Armand Duka, pritën në rezidencën kuqezi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Ky i fundit, i njohur si një dashamirës i vjetër i futbollit, i bëri për vete kuqezinjtë, të cilët duket se e ndienin nevojën e përkrahjes së kreut të shtetit. Në hotel "Tirana", Presidentin Topi e shoqëroi kapiteni i kombëtares Altin Lala, me kreun FSHF-së, Armand Duka, të cilët e prezantuan atë me stafin teknik dhe futbollistët. Si njeri i afërt me futbollin, Presidenti Topi e bëri sa më të thjeshtë bisedën me kuqezinjtë, duke e lënë mënjanë petkun e zyrtarit më të lartë të shtetit. Pas përshëndetjes me futbollistët dhe gazetarët e pranishëm, nuk munguan batutat. Fillimisht, fjalën e mori njëshi i institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka, i cili ndër të tjera tha: "Falënderoj përzemërsisht për vizitën dhe mbështetjen që i ka dhënë futbollit shqiptar Presidenti Bamir Topi. Kjo vizitë e tij është shumë motivuese për futbollistët. E garantoj se kombëtarja do të bëjë maksimumin për të arritur rezultate pozitive."Ndërkohë, menjëherë pas Dukës, foli kreu i shtetit shqiptar.
"Eshtë një moment emocionues për mua, sepse nuk është pjesë e një axhende të punës, por e kënaqësisë sime për futbollin, një pasion i cili nuk më është shkëputur asnjëherë,"- theksoi Presidenti Topi. - Ndiej një kënaqësinë të veçantë që jam mes jush, për të ndarë së bashku atë emocion që e kanë të gjithë shqiptarët dhe natyrisht për t'ju falënderuar në emër të tyre." Duke iu drejtuar futbollistëve, Presidenti Topi shtoi: "Ju sot përbëni një pjesë shumë të rëndësishme të identitetit kombëtar. Ekipi kombëtar i ka dhënë vlera shumë të veçanta emrit të Shqipërisë. Sinqerisht, ju falënderoj për emocionet që na keni falur, ndërkohë që jam i bindur se emocione më të forta do të na dhuroni, duke filluar që nga ndeshja e sotme (e djeshme). Jam i bindur që do të ketë një impenjim maksimal nga ana juaj."
Tifoz i Ajaksit dhe shakatë me kapitenin Lala
Në fjalën e tij para kombëtares, Presidenti Topi nuk la pa vlerësuar trajnerin holandez të kuqezinjve, Ari Han. "Eshtë një njohje e vjetër imja, pasi kam qenë tifoz i zjarrtë i Ajaksit dhe pa dyshim i Ari Hanit. Duke e respektuar për karrierën e tij, jam i bindur se atë që shpalosi në ndeshjen e parë me Suedinë, do të vazhdojë ta bëjë. Trajneri Han ishte mjaft profesionist në drejtim të lëvizjeve taktike dhe disiplinimit të skuadrës. Më ka bërë shumë përshtypje stabiliteti i lojës së ekipit, ana psikologjike, disiplina taktike, por edhe fizike. Kam bindjen se me këtë disiplinë do të arrijmë rezultate shumë të mira. Këtu ka talente që më së fundi erdhi dita të vlerësohen, ashtu siç duhet." Në këtë takim miqësor foli edhe trajneri Ari Han, i cili falënderoi Presidentin Topi për mbështetjen. "E di që Presidenti Topi është tifoz. Ne kemi nevojë për mbështetjen e tij. Ky është një motivacion ekstra që na bëhet,"- deklaroi holandezi i kuqezinjve. Në fund, kishte vend edhe për batuta, teksa kur bëhet fjalë për një gjë të tillë, kapiteni i kombëtares, Altin Lala, është në epiqendër. "Kemi nevojë për mbështetjen tuaj morale,"- tha Lala, ndërsa Presidenti Topi shtoi me shaka: "Të duhet eksperiencë parlamentare për të folur mirë." Kapiteni kuqezi, në emër të ekipit, i dhuroi kreut të shtetit një fanellë të kombëtares, e cila mbante firmat e të gjithë futbollistëve. "Shpresoj ta vendosni në zyrën tuaj këtë," - iu drejtua Presidentit Altin Lala, teksa mori edhe miratimin e tij. Më pas, kreu i shtetit bashkë me atë të FSHF-së thumboi futbollistin Klodian Duro në lidhje me të kaluarën e tij te Tirana.
Eliminatoret e djeshme
Grupi 1
Suedi - Hungari
Shqipëri - Maltë
Portugali - Danimarkë
Grupi 2
Moldavi - Izrael
Letoni - Greqi
Zvicër - Luksemburg
Grupi 3
San Marino - Poloni
Irlanda V - Çeki
Slloveni - Sllovaki
Grupi 4
Rusi - Uells 2-1
Azerbaixhan - Lihtenshtein
Finlandë - Gjermani
Grupi 5
Turqi - Belgjikë
Bosnje - Estoni
Spanjë - Armeni
Grupi 6
Andorra - Bjellorusi
Kazakistan – Ukrainë 1-3
Kroaci - Angli
Grupi 7
Ish.Faroe - Rumani
Francë - Serbi
Lituani - Austri
Grupi 8
Mali i Zi - Irlandë
Itali - Gjeorgji
Grupi 9
Islandë - Skoci
Maqedoni - Holandë