BB: Rritja ekonomike do të bjerë me 2%
Sipas një studimi të Bankës Botërore, vendet do të pësojnë rënie të PBB-së dhe çmimet do të jenë të ulëta
Botimi më i fundit i Bankës Botërore, "Perspektiva Ekonomike Globale 2009", i bërë dje publik, flet për një rritje jashtëzakonisht të ulët në vitin 2009, për botën në zhvillim dhe një rimëkëmbje të lehtë në vitin 2010. Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, Evropa dhe Azia Qendrore janë ndikuar më keq nga zhvillimet e kohëve të fundit.
PBB-ja në rajon, ku bën pjesë edhe Shqipëria, pritet të bjerë me dy për qind, nga 4.2% rritje që shënoi në vitin 2008. Rënia e rritjes për rajonin, krahasuar me parashikimin e Bankës Botërore në nëntorin e kaluar, është 4.8 pikë dhe përbën rënien më të madhe midis rajoneve në zhvillim. Institucioni financiar parashikon që rritja do të reagojë pozitivisht në vitin 2010. Megjithatë, ritmi dhe koha e përmirësimit është ende e pasigurt.
Tregtia botërore e mallrave dhe shërbimeve pritet të bjerë me 6.1% në vitin 2009 dhe çmimi i naftës pritet të jetë më shumë se 50% më poshtë nga nivelet e shënuara gjatë vitit të kaluar. Ndërsa çmimet e produkteve të tjera, 30% më poshtë, krahasuar me një vit më parë.
Edhe Banka e Shqipërisë, në raportin e saj të fundit, ka konfirmuar vlerësimet e Bankës Botërore për rritjen ekonomike në vend. "Rritja ekonomike vjetore pritet të jetë pozitive, por ndjeshëm më e ulët se në vitin 2008",- citohet në raport.
Analiza e BSH-së tregon se norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit do të reflektojë zhvillimet në kërkesën e përgjithshme dhe se niveli i inflacionit mund të bjerë nën kufirin e poshtëm prej 2 përqindësh. Kjo gjë, madje, ndodhi për muajin e kaluar, ku ai arriti në 1.9% për muajin janar, niveli më i ulët i shënuar në dy vitet e fundit.
Por, Banka e Shqipërisë thotë se në pjesën më të madhe të këtij viti, treguesi i rritjes vjetore të çmimeve të konsumit, pritet të luhatet pranë këtij objektivi në pjesën më të madhe të vitit. Ekspertët ndërkombëtarë, në analizat e tyre thonë se shenjat e përmirësimit të ekonomisë do të tregohen me rritjen e inflacionit në këto vende.