E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga arka e shtetit janë vjedhur 4 miliardë lekë

31/03/2009  Mbërrin në Kuvend raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Më shumë se 4 miliardë lekë të reja rezulton të jenë vjedhur, ose shpërdoruar nga paratë e tatimpaguesve. Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që në përfundim të kontrolleve për vitin 2008 ka zbuluar një dëm financiar në shumën e përgjithshme prej 4 046 635 000 lekë. Sipas raportit, këto të ardhura janë të humbura ose të parealizuara, për shkak të parregullsive dhe shkeljeve financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera nga administrata shtetërore. Nga këto është rekomanduar zhdëmtimi i një shume prej 4 032 455 000 lekë, ose në masën 99,6 për qind. Por në proces arkëtimi rezulton vetëm 68 për qind e tij, ose 2 743 883 000 lekë.

Tatimet

Zbulimet në degët e tatimtaksave kapin shifrat më të larta të ameve që sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, arrin në rreth 1,8 miliardë lekë. Evazioni fiskal i evidentuar nga ekspertët është në shifra të larta edhe për vitin e kaluar, kryesisht në shmangien e pagesës së detyrimeve tatimore, më pak në atë doganore dhe në tarifat vendore. Problematika sa i përket sistemit të tatimtaksave lidhet më shumë me shmangien e detyrimeve tatimore për tatimfitimin dhe penalitete, që arritën në shumën 1 022 851 000 lekë, ndërsa detyrimet e papaguara tatimore për T.V.SH-në dhe penalitete të tjera kapën shumën 412 814 000 lekë, gjoba për mosdorëzim të bilancit financiar u llogaritën në shumën 14 200 000 lekë dhe detyrimet për mosllogaritjen ose për llogaritjen më pak të kontributeve të sigurimeve shoqërore patën një efekt negativ prej 8437 000 lekë në buxhetin e shtetit. Për mosderdhje dividenti dhe tatimi në burim dëmi ishte 2 628 000 lekë, ndërsa detyrimet për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin nga subjektet e biznesit të vogël u llogarit në plot 400 mijë lekë. Ndërsa sa i përket departamenteve të kontrollit, vlera e shkeljeve financiare e zbuluar është më e lartë në departamentin e kontrollit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, prej 2,4 miliardë lekësh.

Doganat

Të ardhurat e munguara në arkën e shtetit, të cilat rezulton të kenë përfunduar në xhepat e doganierëve të kësaj administrate për zhdoganimet e disa artikujve, sipas ekspertëve të KLSH-së arriti në 498 880 000 lekë. Gjithashtu për shmangie të sanksioneve ligjore dhe të interesave, favorizime të bëra nga administrata për individë të caktuar dëmi është llogaritur në 5 360 000 lekë. Ndërsa efekti negativ në arkën e shtetit nga subjekte që operojnë me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv është llogaritur në 186 518 000 lekë. Mospagimi i detyrimeve doganore për makinat e zhdoganuara për vitin 2008 kapi vlerën negative prej 3 650 000 lekë. Ekspertët e KLSH-së kanë bërë edhe ndarjen sipas degëve, ku rezulton se dogana e Tiranës ka shifrën më të lartë të dëmit të shkaktuar prej 349 816 000 lekë, më pas vjen ajo e Vlorës me 254 611 000 lekë dhe ajo e Beratit me 38 648 000 lekë. Po kështu rezulton një gjobë e pavendosur për KESH-in në sistemin e taksave vendore për kryerje të pagesave jashtë afatit ligjor, në shumën 2 901 000 lekë. Problematika e hasur në sistemin e taksave vendore lidhet me raste të moszbatimit të procedurave ligjore për regjistrimin e biznesit të vogël, për vendosjen e taksave për biznesin e vogël, për mospagesë të taksës së reklamave, për taksën e zënies së hapësirave publike në tregje, për mosdeklarim të xhiros, për taksën e gjelbër.

Rekomandimet

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë 32 propozime për ndryshim ose përmirësim ligjor. Por vetëm 14 prej tyre janë zbatuar dhe kanë hyrë në fuqi, 4 janë në proces dhe 14 të tjera nuk janë zbatuar. Një prej tyre është propozimi përcaktimin e afatit kohor të detajimit dhe shpërndarjes së granteve konkurruese për Ministrinë e Financave për vitin 2009. Ky propozim, sipas ekspertëve të KLSH-së, nuk është zbatuar nga ky institucion me argumentimin se afatet konkrete vendosen nga Komiteti i Shpërndarjes së Granteve dhe kjo është në varësi të propozimeve të njësive të pushtetit vendor. Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se mbetet ende për t’u bërë me amnistinë e detyrimeve të prapambetura. Vlera e detyrimeve debitore përfshi dividentin e paderdhur është rritur nga viti në vit në shifra alarmante. Kjo shifër ishte 15 636 milionë lekë në 2005-n, ndërsa në fund të 2007-s arriti në 58 211 milionë lekë. Sa i përket masave me karakter organizativ, janë rekomanduar 1 169 të tilla, por janë zbatuar vetëm 925 masa plotësisht, 75 janë në proces, 16 janë zbatuar pjesërisht dhe 153 nuk janë zbatuar. Sipas ekspertëve të KLSH-së, niveli i realizimit të masave administrative dhe disiplinore ka pasur tendencë rritjeje nga viti në vit. Nga 75,2 për qind të realizuara në 2006-n, ky niveli arriti në 77,2 për qind në 2007-n dhe 78,2 për qind në 2008-n. Ndërkaq, 32 kallëzime penale janë çuar në Prokurori, nga këto 17 në Tiranë dhe pjesa tjetër në prokuroritë e rretheve. Nga këto, 81 persona janë kallëzuar për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe zhdukje dhe vjedhje të dokumenteve. Sipas të dhënave statistikore, rezulton se ka një rritje prej 40 për qind të vendimeve gjyqësore në favor të subjekteve publike që kanë kërkuar shpërblimin e dëmit këto kërkesa më parë rrëzoheshin nga gjykata vetëm për shkak të mangësive në formën dhe në procedurat e ndjekura për kërkimin e shumave.

Sektori Dëmi (mijë lekë)

Tatimtaksa 1 887 633

Prokurimet publike 779 815

Dogana 694 656

Fusha e urbanistikës 153 737

Shpenzimet operative 116 119

Shpërblime 26 363

Sistemi i pagave 24 372

Qiratë e pasurisë shtetërore 11 962

Inventarizimi i aseteve 2 148

Në fusha të tjera 349 830

Mbi 95 për qind e kontrolleve hidhen poshtë nga gjyqësori

Rreth 95 për qind e kontrolleve që zhvillohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë prova të pambështetura dhe të pabazuara për organet e drejtësisë. Edhe pse KLSH-ja ka ngritur një sërë çështjesh dhe problemesh, sa i takon problematikës rastet që shkojnë në gjykatë dhe Prokurori për kallëzim hidhen poshtë. “Nga ana e qeverisë për të gjitha rekomandimet që ka dhënë KLSH rast pas rasti, janë nxjerrë përgjegjësitë administrative dhe janë adresuar rast pas rasti, ndërkohë që një pjesë e rasteve janë çuar nga KLSH drejtpërdrejt për kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme. Mbi 95 për qind e rasteve, të ngritura nga KLSH-ja për të cilat qeveria ka adresuar problemet dhe ka kërkuar përgjegjësitë tek administrata, tek individët përgjegjës, nga ana e gjykatave dhe Prokurorisë janë hedhur tërësisht poshtë si të pabazuara dhe të pambështetura. Unë nuk mund të them nëse aktet kanë qenë të pabazuara ose jo, por e vërteta është që gjyqësori ka marrë vendime që nuk përputhen me aktet e KLSH-së”, - ka qenë kjo deklarata e ministrit të Financave, Ridvan Bode, vjet në Kuvend gjatë prezantimit të buxhetit faktik 2007.

Fondet publike, këtë vit në sitë 39 institucione qendrore

Për vitin 2009 janë programuar të zhvillohen 147 kontrolle në total. Veç kontrolleve komplekse, si ato të ligjshmërisë rregullshmërisë dhe vlerësues do të organizohen kontrolle për certifikimin financiar, 5 kontrolle të performancës sipas praktikave të Gjykatës së Auditimit të Holandës, si dhe 39 institucione shtetërore në nivel qendror, kryesisht sa i përket përdorimit të fondeve të vëna në dispozicion nga buxheti dhe zbatimi i ligjshmërisë në prokurimin e fondeve publike. Gjatë vitit të kaluar ekspertët kanë kryer në total nga 147 kontrolle të planifikuara plot 152 kontrolle gjatë vitit të kaluar. Nga këto kontrolle të paraqitura në raportin vjetor 31 kanë qenë në ministritë dhe institucionet qendrore dhe 52 në institucionet e administratës vendore. Kanë kaluar në sitë 22 drejtoritë dhe degët e tatimtaksave dhe të doganave, 24 institucione financiare dhe shoqëri me kapital të përbashkët shtetëror, si dhe 12 kontrolle janë bërë në njësitë dhe projektet me financime të huaja, 8 në subjektet e administrimit dhe regjistrimit të pronës dhe 3 në subjektet e mbrojtjes së mjedisit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›