E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiten 40% të aksioneve të Bankës së Bashkuar

31/03/2009  Marrëveshja

Ministria e Financave nënshkroi dje marrëveshjen për privatizimin e 40 për qind të aksioneve shtetërore të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë. Këto aksione janë blerë nga Banka Islamike për Zhvillim me një shumë prej 8 milionë dollarësh. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Ridvan Bode dhe përfaqësuesi i Bankës, Azfar Hussain Qarni, drejtor në IDB. “Ne e konsiderojmë këtë një privatizim të suksesshëm që konfirmon deklaratat tona se sistemi bankar dhe ekonomia shqiptare janë ende shumë të besueshme në sytë e investitorëve dhe të kompanive të huaja që veprojnë jo vetëm në ekonominë reale, por edhe në sistemin financiar, konkretisht në sistemin bankar”, - deklaroi ministri Bode. Ai theksoi se kjo marrëveshje konfirmon një tjetër arritje, duke privatizuar aksionet me një vlerë prej 3 milionë dollarësh më të lartë se në kohën kur shteti shqiptar ka ofruar këtë pjesëmarrje në vitin 2006. Banka Islamike për Zhvillim me qendër në Arabinë Saudite, operon në 55 shtete. Ajo ka qenë aksionere në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë me 15 për qind të aksioneve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›