E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike prej 3 për qind

15-12-2011 / Gazeta 55

Banka Botërore konfirmon ecurinë pozitive të ekonomisë, ndërkohë që ka sugjeruar që të bëhen investime të matura në infrastrukturë, për shkak të drojës se kriza e borxheve në eurozonë do të jetë e tejzgjatur


Banka Botërore i sugjeron Qeverisë shqiptare që të parashikojë shtyrjen e disa prej projekteve në infrastrukturë, në varësi të situatës ekonomike dhe financave publike. Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenia Ivovski, shprehet se megjithëse vendi ka nevojë për projekte infrastrukturore  apo përmirësim të saj, situata në eurozonë dhe përkeqësimi i saj, apo mos mbledhja e të ardhurave ashtu sikundër është parashikuar në buxhetin e 2012, do të kërkojnë shtyrjen e realizimit të disa projekteve. “Duhet monitoruar situata me shume kujdes dhe të mos pritet në periudhë afatmesme për të bërë këto rregullime, por nëse është e nevojshme të ndërhyhet sa më shpejt”, shprehet ajo. Por duket se një tjetër arsye që shtyn këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar financiar të japë një këshillë të tillë është edhe niveli i lartë është edhe niveli i lartë i borxhit. “Niveli i borxhit në Shqipëri është rreth 59 për qind, shumë afër asaj që ne e quajmë kufiri i sigurt për ekonomi si Shqipëria. Kur ndodhesh në një situatë të tillë buxhetore ka dy prioritete: së pari është fokusimi tek rritja e të ardhurave përmes përmirësimit të mbledhjes së taksave. Pasi të realizohet kjo dhe buxheti vazhdon të jetë i shtrënguar duhet të bësh zgjedhje të vështira tek shpenzimet. Dhe kur ndërhyhet te shpenzimet, mbrojtja e sektorëve kyç si shëndetësia dhe arsimi është qartësisht prioriteti kryesor, sepse kapitali human është pasuria më e madhe që një vend ka dhe do të ketë”, thotë Ivovski. Në lidhje me rritjen ekonomike në Shqipëri, Drejtoresha e BB-së për vendin tonë, thotë se të gjitha institucionet parashikojnë një rritje, por më të ngadaltë. “Ne parashikojmë një rritje afatmesme tek rreth 3 për qind, që është dukshëm më e ulët nga ajo që Shqipëria ka pasur. Kjo do të thotë ngadalësim i uljes së varfërisë ose edhe stanjacion i mundshëm i niveleve të saj. Po kështu kjo rritje më e ulët ekonomike do të thotë rritje e mundshme e pabarazisë që duhet të jetë një shqetësim kryesor, do të thotë përmirësim më i ngadalte i standardit të jetesës për shumicën e shqiptarëve”, tha Ivovski.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›