E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjehem shumë mirë, falënderoj ekipin e mjekëve për kujdesin e treguar dhe qytetarët për urimet

15-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e Qeverisë

“Sot është një rend dite shumë i ngjeshur, por, natyrisht, mediat që janë dyfish të pranishme sot, presin këtu deklaratën time për gjendjen shëndetësore. Ndihem shumë mirë! Ajo që pësova më datën 12 dhjetor ishte një episod lipotemie i lidhur me një virozë dhe ky është i treti që kam pësuar gjatë jetës sime”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së përjavshme të Qeverisë, dy ditë pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, në festën e 21-vjetorit të themelimit të PD. Kryeministri pohoi se ndjehet shumë mirë, ndërsa theksoi se një shqetësim të tillë të shkaktuar nga viroza, e ka kaluar dhe dy herë të tjera. “Ky ishte i treti që unë kam pësuar gjatë jetës sime. I pari ka ndodhur në vitin ’88 dhe në realitet ishte më i forti, gjë që më imponoi të bëj një ekzaminim të të gjitha sistemeve dhe që gjithçka dolën intact. Pra, ishte në kuadrin e një viroze. Viruse që mesa duket kanë potenciale të ndikojnë ose të krijojnë episod të tillë, por, e vërteta është, si virozë ajo nuk ishte e fuqishme. Rasti tjetër ka ndodhur në Vlorë, dhjetë vjet më vonë, në vitin ’98. Ajo ishte në kuadrin e një virozë më të fuqishme. Dhe rasti i tretë, që ishte i çuditshëm se ishte më i lehti, ishte edhe ky në sfondin e një viroze. Shpjegimi për këtë është hiperenergjia. Në tërësi, këto japin temperaturë të lartë, kurse një organizëm që reagon fuqishëm ndaj tyre, reagon me energji të mëdha krijohen mesa duket episode të tilla, të cilat kanë ardhur në zvogëlim në fuqitë e tyre. Pra, ndjehem shumë mirë. Nga një ‘check up’ që u bë rezultoi se në sistemin e të gjitha enëve të qarkullimit të gjakut të Sali Berishës nuk gjendet as edhe një pllakë e vetme ateromatoze, artereo-skleroketike. Kjo do të thotë sistem që nuk ka moshë. Kisha bërë një kontroll me të gjitha para dy vitesh, madje desha edhe ta botoj, por e lashë. E bëra përsëri tani dhe u kërkua nëse kishte ndonjë pllakë të vogël kund, por ato ishin të lëmuara, pothuajse siç kanë lindur, natyrisht, jo si të asaj moshe”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë falënderuar ekipin mjekësor që u kujdes për shëndetin e tij dhe qytetarët të cilët, sipas kryeministrit Berisha, me urimet e tyre, kanë qenë ilaçi më i mirë për shërimin e tij. “Me këtë rast, dua të falënderoj me shumë mirënjohje ata mijëra qytetarë, të cilët më kanë shprehur urimet e tyre dhe t’i siguroj se ato urime kanë pasur tek unë një forcë të vërtetë shëruese, sepse episodet nuk janë vetëm fizike, për shembull, por edhe psikologjike. Kështu që ato ishin për mua ilaçi më i shkëlqyer. Të falënderoj mjekët, të cilët trajtuan dhe shqyrtuan me shumë përkushtim dhe kompetencë të madhe, këtë episod. Ishte edhe një rast për t’u bashkuar me miqtë e mi të vjetër dhe për t’u kthyer në memorien e disa kohërave të punës së përbashkët”, theksoi më tej, kryeministri Berisha.

Kushti për të parandaluar krizën, ulja e borxhit publik dhe ngushtimi i deficitit 

Duke vijuar me rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u ka kërkuar anëtarëve të kabinetit marrjen e masave për uljen e borxhit publik dhe ngushtimin e deficitit buxhetor, si kushte për të parandaluar krizën. Gjithashtu këmbënguli në reformat ekonomike si dhe në lehtësimin e barrës fiskale mbi biznesin privat. “Duhet të thjeshtojmë praktikat për biznesin”, tha kryeministri duke i kërkuar ministrave të shqyrtojnë me kujdes qëndrimet e agjencive që varen nga ata, për dhëniet e lejeve dhe licencat, zvarritjet dhe burokracitë e tyre.
Duke u ndalur te kriza e borxheve në botë, Berisha theksoi se kjo krizë do të jetë afatgjatë ndërsa vuri theksin tek reforma ekonomike në mënyrë që dallgët e krizës të mos e përfshijnë këtë vend.
“Për vitin e ardhshëm duhet të mbajmë ende rritjen ekonomike e cila është shumë e rëndësishme për shqiptarët. Të ulim borxhin publik dhe ngushtimin e deficitit”.
Një tjetër detyrë kryesore për 2012 është dhe aplikimi i partneritetit publik privat në të gjitha fushat, sikundër në të gjitha komunat e vendit.
“Bashkia e Tiranës  ka nisur një punë serioze, dhe shembullin e saj ta aplikojnë dhe bashkitë dhe komunat e tjera”, theksoi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›