BB: Shqipëria e para në rajon për borxhin publik, Rama: Financat, në fije të perit
Kreu i opozitës Edi Rama reagoi në faqen e tij të Tëitter pas raportit të paraqitur nga Banka Botërore në Shqipëri, e cila e përcaktonte vendin tonë me nivelin më të lartë të borxhit në rajon.
Rama është shprehur se financat shqiptare janë në fije të perit. Edhe Banka Botërore tha diçka nga çka ne kemi kohë që themi. Por troç: Financat shqiptare janë në fije të perit-shkruan ai.
****
Banka Botërore jep alarmin: Shqipëria është vendi me borxhin publik më të madh në rajon, 59.6 %. Në kohën kur të gjitha vendet europiane i frikësohen përhapjes së krizës së borxheve, Banka Botërore në raportin e saj për Europën Juglindore sugjeron të bëhet kujdes, pasi borxhi publik në Shqipëri qëndron në kufijtë e nivelit të lejuar, por mbetet më i larti në rajon.
Gjithashtu, sipas BB, në kufirin e lejuar mbetet edhe niveli i deficitit fiskal, i cili paraqet një tjetër shqetësim për ekonominë shqiptare.
Përsa i përket rritjes ekonomike të rajonit, raporti vlerëson se ajo mbetet në nivelin 2.5 për qind, ndërkohë që për vitin e ardhshëm parashikohet të bjerë në 2.1 për qind.
Partia Socialiste ka dhënë disa herë alarmin për nivelin e lartë të borxhit publik. Pavarësisht se Ministria e Financave pretendon për një borxh që qëndron në nivelin 57.6 për qind, socialistët janë shprehur disa herë në Parlament se shifra reale e kalon 59.2 për qindëshin.
