E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, shqiptarët blejnë në Maqedoni më lirë

Nëse në botë, një fuçi naftë rritet, automatikisht rritje bëhet edhe në Shqipëri, pavarësisht rezervave, por kur në botë kemi ulje të çmimit të arit të zi, në Shqipëri nuk ndodh kështu.

Në Tiranë, një litër naftë tregtohet me mesatarisht 164 lekë, 1 litër benzinë 180 lekë, kurse Euro Diezel, 178 lekë.  Përkrah fenomenit të çmimeve që nuk pësojnë kurrë ulje, në zonën juglindore të vendit ka nisur një fenomen i ri. Automjete nga Shqipëria "pushtojnë" pikat e tregtimit të karburantit në zonën fqinje të Maqedonisë për të mbushur serbatorët me karburant, pasi çmimi atje është më shumë se 30 për qind më i ulët se në tregun shqiptar.

Ky fluks ka ardhur në rritje, por dy javët e fundit, është shënuar një numër rekord. Ndërkohë, pronarët e mjeteve shqiptare që furnizohen në benzinatat e Maqedonisë konfirmojnë se një veprim i tillë është me leverdi, pasi një litër karburant tek fqinjët, është më shumë se 60 lekë më pak se në Shqipëri.

"Çfarë po ndodh kështu me ju. Ka më shumë se 10 ditë që vijnë radhë automjetesh për t'u furnizuar me karburant. Për ne është me leverdi, pasi kemi punë si asnjëherë, duke siguruar edhe fitime", tha për "Gazeta Shqiptare" Mirçe Naumovski, pronar e njëkohësisht shitës në një nga benzinatat e Ohrit.  Prej disa ditësh, automjete me targa të Librazhdit, Pogradecit, Korçës e deri Elbasanit, pasi kalojnë pikat e kalimit kufitar, shkojnë në benzinatat më të afërta të Maqedonisë dhe furnizohen me naftë apo me benzinë.

 "Këtë punë bëjmë ne, një herë në disa ditë, në Ohër, në Strugë, në Resnjë dhe deri në Manastir. Në Strugë furnizohemi në pikën më të afërt, që është 11 kilometra nga dogana e Qafë-Thanës, ndërsa në Ohër, duhet të bëjmë rreth 25 kilometra nga Tushemishti. Po është me leverdi, pasi atje paguajmë për një litër karburant rreth 600 apo më pak lekë. Të themi me dhjetëra është pak, por me qindra ndoshta kanë filluar të furnizohen me karburant në vendin fqinj", tha dje një shofer pogradecar në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. /Start/

                                                                                             2011-11-15 14:47
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›