Gjinushi: Jam kundër paktit, PS po shërben si fasadë
TIRANË Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi është kundër paktit të arritur mes dy partive kryesore në vend. Gjinushi është shprehur dje se përmes këtij pakti, socialistët po shërbejnë si fasadë e mazhorancës për të arritur objektivat e kësaj të fundit. Gjatë një interviste televizive, Gjinushi argumenton se nuk ka vend për entuziazëm në kushtet kur tri nga dhjetë çështjet e kërkuara nga ndërkombëtaret, janë parashtruar në një draft, që nuk mund të konsiderohet as platformë. Ajo që i duhet vendit, sipas Gjinushit, është ndryshimi i qeverisjes. Këtë shqetësim duket se Gjinushi ia ka përcjellë edhe personalisht kryetarit të opozitës, Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar me këtë të fundit. Gjinushi, Ndoka dhe Milo ishin dje në selinë e PS-së për t’u njohur nga kryetari i opozitës mbi mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje të arritur me PD-në, si dhe për propozimet që PS-ja ka rreth reformës zgjedhore. Asnjë prej aleatëve nuk pranoi të komentonte rreth takimit, ndërsa dukeshin pesimistë mbi temat e bisedës.