E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Të ardhurat familjeve shqiptare 5 USD për frymë

Autori i Lajmit: Redaksia
Banka Botërore parashikon se numri i të varfërve në Shqipëri mund të jetë rritur që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, si pasojë e dy goditjeve të forta që morën buxhetet e familjarëve nga kriza e çmimeve të larta në vitin 2008 dhe më pas kriza globale.
Banka Botërore publikon për herë të parë edhe një shifër që rrit përmasat e varfërisë.

Banka Botërore

Sipas BB-së, 60 për qind e familjeve shqiptare ka si të ardhura vetëm 5 dollarë për frymë në ditë. Pikërisht, për shkak të kësaj të dhëne, BB paralajmëron se kriza mund ti ketë prekur rëndë shqiptarët. Përllogaritja e fundit zyrtare e nivelit të varfërisë në Shqipëri është bërë në gjysmën e parë të vitit 2008, përpara se vendi të përballej me krizën e çmimeve dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike. Në atë kohë INSTAT e deklaroi shifrën zyrtare të varfërisë 12 për qind, por Banka Botërore vëren në raport se mjafton një rritje prej vetëm 10 për qind e çmimeve të ushqimeve, që të gjithë shqiptarët të jenë mesatarisht 5.53 për qind më të varfër. Edhe pse ende nuk ka një shifër zyrtare se sa mund të jetë rritur numri i të varfërve në Shqipëri, të dhënat operative të Bankës Botërore tregojnë se varfëria mund të jetë ngjitur sërish në nivelin 15-16 për qind, çka do të thotë 40 mijë familje të varfra më shumë.

Varfëria

Pjesa më e madhe e të varfërve jeton në zonat rurale. Studimi i Bankës Botërore tregon se, të varfrit janë më së tepërmi të paarsimuar dhe jetojnë në familje të mëdha. Në zonat rurale varfëria ekstreme ra nga 5.2% në 4.5%, një reduktim total prej 15%, ndërmjet viteve 2002 dhe 2005, krahasuar me një ulje prej 43% të varfërisë në zonat urbane. Ndërkaq, në vitin 2005, vetëm 2.7% e popullsisë mund të konsiderohet ekstremisht e varfër. Vërehet se varfëria ndër familjet në zonat rurale, që rrisin zarzavate, është 10 pikë përqindjeje më e ulët se në kategoritë e tjera. Rreziku i varfërisë paraqitet veçanërisht i lartë për ato familje që kanë kryefamiljarë individë të paarsimuar. Rreth 75% e gjithë të varfërve kanë në krye të familjes individë që kanë përfunduar 8 ose më pak vite studim. Rreziku i varfërisë për kryefamiljarët me vetëm arsim fillestar ishte në masën 32% në vitin 2002, por vlerësohet në 25% për 2005-ën. Familjet e mëdha hyjnë gjithashtu në grupet me rrezikshmëri të lartë për tu prekur nga varfëria. Rreth 48% e popullsisë në Shqipëri jeton në familje të përbëra nga 4-5 persona, krahasuar me familjet që përbëhen nga 8 apo më shumë persona, të cilat përbëjnë vetëm 8% të totalit të popullsisë. Megjithatë, respektivisht 21% dhe 17% e të gjithë të varfërve në 2002 dhe 2005, jetonin në familje me më shumë se 8 anëtarë. Nga ana tjetër, familjet që drejtohen nga kryefamiljare femra tregojnë një normë më të ulët varfërie. Familjet, kryefamiljari i të cilave është mashkull, kanë të paktën 5 pikë përqindjeje më shumë mundësi që të bien në varfëri nga ato familje me kryefamiljar femër. Kryefamiljaret llogariten vetëm në 12% të totalit të familjeve në Shqipëri, por ato përbënin vetëm 8% të totalit të të varfërve për të dy periudhat. Një shpjegim i pjesshëm mund të jetë që këto familje që kryesohen nga femrat janë familje që i kanë meshkujt në emigracion, ndaj remitancat e tyre përmirësojnë pozitën e tyre të të ardhurave.

Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›